Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Fan të Mirditës ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi Martin Prenga.

Mësohet se si autor i dyshuar për vrasjen është arrestuar shtetasi Florin Gjoka, 21 vjeç i cili ka qëlluar 5 herë drejt 51 vjeçarit Martin Prenga. Ndërsa vëllai i tij, Altin Gjoka është proceduar në gjendje të lirë, pasi ka ndihmuar autorin të largohet nga vendi i ngjarjes.

Policia ka sekuestruar armën e zjarrit “pistoletë” që u përdor për atentatin ndaj 51 vjeçarit i cili ndodhet në spitalin e Traumës ku raportohet të jetë jashtë rrezikut për jetën.

Mirditë/Policia zbardh dhe dokumenton ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Fan, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi Martin Prenga.

Arrestohet autori i dyshuar i plagosjes, Florin Gjoka, procedohet në gjendje të lirë vëllai i tij, Altin Gjoka, i cili e ndihmoi të largohej nga vendi i ngjarjes.

Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë e dyshuar e përdorur për plagosjen.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës dhe Lirisë së Personit në DVP Lezhë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë, falë veprimeve të shpejta e profesionale hetimore, duke administruar çdo provë në vendin e ngjarjes dhe pamje filmike, si dhe duke shoqëruar e pyetur disa shtetas, në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, kanë bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e kaluar në Fan, Mirditë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi M. P., 51 vjeç, banues në Mirditë.

Në përfundim të veprimeve procedurale është arrestuar shtetasi F. Gj., 21 vjeç, banues në Mirditë, si dhe është proceduar penalisht në gjendje të lirë vëllai i tij, shtetasi A. Gj., 21 vjeç, banues në Mirditë.

Në autostradën Rrëshen-Kukës, në Fan, Mirditë, shtetasi F. Gj. ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin M. P., i cili si pasojë ka marrë plagë në këmbë dhe ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.

Pas ngjarjes, shtetasi A. Gj. e ka ndihmuar vëllanë e tij, shtetasin F. Gj. që të largohet nga vendi i ngjarjes dhe të fshihet.

Vazhdojnë hetimet për të përcaktuar rolin dhe përgjegjësinë e të gjithë personave të përfshirë në këtë konflikt, i cili ka agravuar deri në përdorimin e armës së zjarrit.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë e dyshuar e përdorur nga autori.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në ngarkim të shtetasit F. Gj., dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, në ngarkim të shtetasit A. Gj.