Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka mbajtur ditën e sotme një mbledhje me krerët e grupeve parlamentare, në lidhje me një dosje të AIDSKSH, ku thuhet se një politikan i lartë ka qenë bashkëpunëtor i ish-sigurimit të Shtetit.
Në këtë dosje ndodhen dy dokumente, teksa njëri prej tyre nuk është më sekret pasi është publikuar nga vetë AIDSKSH, ndërsa tjetri ka mbishkrimin “Sekret”.
Mësohet se në dokumentin sekret bëhet fjalë për një dosjen e të dënuarit F.T. brenda së cilës gjendet dhe roli si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit i personit me inicialet I.M, i cili tashmë shërben si politikan i vendit.
AIDSKSH e ka gjetur dosjen, por që të procedojë më tej me vendim duhet që të ndryshojë ligji. Pengesa që është vendosur në ligj është vendosur gjatë kohës kur Kryetar Kuvendi ishte vetë Ilir Meta, personi i cili përflitet se është bashkëpunëtori i përmendur në dosje.
AIDSKSH i kërkon tashmë Kuvendit shfuqizimin e ndalesës për ta hapur këtë dosje dhe për të shpallur I.M zyrtarisht, bashkëpunëtor të ish-sigurimit të shtetit./ TCH