Ditën e djeshme në emisionin “Ftesë në 5” në Top Channel, me Bieta Sulon ishte e ftuar gazetarja Esmeralda Keta, e cila u vlerësua nga OSBE me një çmim për investigimin më të mirë të vitit 2022.
Me një eksperiencë 10-vjeçare në Top Channel, gazetarja e “Inside Story” ndau më shumë detaje nga investigimi plot të papritura i guroreve.
“Ishte një vend në mes të pyllit, në mes të asgjësë dhe papritur kalonte dikush me një shishe qumësht… Që supozohet do të shiste qumësht në një vend ku s ishte askush… Pak më vonë kalonte një person tjetër ngarkuar me një thes. Ishin të gjithë vëzhgues që shihin se çfarë po bënim ne. Në një pikë, tensioni ishte aq i madh saqë u pozicionuam pranë një shtylle tensioni dhe një copë letër shkruam OSHE, duke u “maskuar” si punonjës të OSHEE”, tregoi Esmeralda Keta.