Kompania EMAAR prezantoi sot masterplanin për portin turistik të Durrësit, projekt që pritet të realizohet brenda 6 vitesh.

I pranishëm në ceremoninë e prezantimit të masterplanit të Portit, kryeministri Edi Rama the se kjo është një ëndërr që po bëhet realitet. Në fjalën e tij, Rama tha se ky do jetë porti më i madh i Mesdheut.

Kryeministri tha se ndërtimi do të bëhet në 5 faza dhe gjithçka do të përfundojë brenda 6 viteve.

“Ishte takimi me mikun tonë të shtrenjtë që i hapi rrugë këtij projekti dhe sot ky nuk është një projekt i përgatitur për të bërë këtu reklamë. Kjo është kartolina e një projekti që është gati të filojë me fazën e parë, ka 5 faza. Më në fund Durrësi kthehet në një post plot mundësira dhe plot atraksion të vetë Mesdheut. Që të gjithë ata që janë dhënë pas lundrimit, ata që kanë jahte dhe gjithë të tjerët që lëvizin nga një vend në tjetrin do duan të vinë në Durrës. Kjo është vërtetë një arsye për t’u ndjerë shumë të frymëzuar që ne ta çojmë deri në fund realizimin e kësaj ëndrre që nga 3D këtu në 4-5-6 vite do të jetë këtu ku ne jemi sot, ku nuk do të ketë më konteiner, vinça, ku s’do ketë më ndotje, por do të ketë një jetë të re që pulson dhe këtu do jetë zemra e turizmit shqiptar dhe Durrësit do të kthehet në një forcë të madhe të shtuar të ekonomisë shqiptare. Durrësi do të kthehet aty ku ishte atëherë kur këtu vinin ato pak anije që lëviznin në atë kohë dhe këtu lëvizte e gjithë tregtia, në vend do të vijnë të gjitha anijet e kohës që jetojmë. Sot kemi një projekt dhe kemi një afat, kemi hyrë tanimë në rrugën e zbritjes së ëndrrës në tokë. Lajmi i mirë është që njeriu që vjen këtu me këtë pëlhurë ku është vizatuar me imazhe ëndrra jonë nuk është dikush që ka shumë para, por është dikush që çfarë e tregon këtu e ka bërë aty prej nga vjen dhe quhet Dubai, porti turistik i Dubait, quhet vendi që nga shkretëtirë u kthye në magnetin e botës”, u shpreh Kryeministri.

Porti i ri i Durrësit do të rrisë edhe ekonominë e bizneseve të tjera të zonës.

“Kjo është një burim energjie për të gjithë zonën. Të gjitha këto që do ndërtohen në këtë port do rrezatojnë ekonomikisht tek të gjithë ata që kanë ndërtuar hotele përgjatë bregut. Vlera e gjithçka që ata kanë investuar do të rritet”, deklaroi Rama.

Impakti i këtij investimi që kryhet nga kompania që ndërtoi Portin e Dubait dhe ka autorësinë e ndërtimeve më spektakolare në Emiratet e Bashkuara, e në plot vende të botës, do të ndryshojë thellësisht ekonominë e qarkut të Durrësit si edhe do të krijojë një efekt ekonomik zinxhir në krejt bregdetin shqiptar.

Investimi i kompanisë EMAAR në port do të jetë 2 miliardë euro. Madhësia e portit turistik do të jetë 2 herë më e madhe sa ajo e portit në Malin e Zi.