Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kujtoi edhe një herë projektin e Lulzim Bashës për pastrimin e kryeqytetit me 39 euro për ton ndërkohë që sipas tij Tirana sot është më e pastër dhe 30% më lirë.

“Sa më shumë mbani, thesare do të dëgjoni për çfarë keni bërë. Basha i shkruan Berishës që ta bëjmë landfillin për 37 euro/ton. Ne e kemi 29 euro/ton, 30% më pas seç kërkonte ta bënte Basha. Basha ia çon fizibilitetin qeverisë dhe ngeli aty se humbi qeveria. Në 2013 është shpallur një gjendje e emergjencës mjedisore kur Basha ishte në bashki. Jam përgjigjur vetëm për Bashkinë e Tiranës në shkresën time,”- tha Veliaj teksa paraqiti edhe dokumentin.

Gjatë debatit në mbledhje, Veliaj deklaroi se ka qenë Qarku i Tiranës që ka përcaktuar Bashkinë e Tiranës për t’u shprehur dhe se ai ka kthyer përgjigje vetëm për Bashkinë e Tiranës. Veliaj deklaroi se ai është shprehur vetëm në parim për procedurën dhe më pas ka qenë Këshilli Bashkiak i Tiranës për ta marrë vendimin. Veliaj i kërkoi Tabakut që të mos dëgjojë Monika Kryemadhin dhe të mos gënjejë, pasi është edhe e dënuar për shpifje nga gjykata. Sipas tij sot Tirana është më e pastër, është Kryeqyteti Europian i Rinisë. Në janar të vitit 2016, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i dërgoi një propozim qeverisë për mundësinë e përfshirjes së sektorit privat në fushën e menaxhimit dhe trajtimit të mbetjeve urbane të kryeqytetit, përmes një kontrate të partneritetit publik-privat, PPP.

Përmes një shkrese të dërguar në adresë të ministrit të atëhershëm të Financave, Shkëlqim Cani, Veliaj e mbështet idenë në një studim fizibiliteti të hartuar nga Korporata Financiare Ndërkombëtare, IFC, për PPP dhe një studim të Korporatës Ndërkombëtare Japoneze, JICA, për zgjerimin e venddepozitmit të mbetjeve në Sharrë.

“…kërkohet miratimi i Ministrisë së Financave për këtë nismë, e cila do të sigurojë një shërbim cilësor dhe sipas standardeve europiane për qytetarët dhe mjedisin në Tiranë,”- thuhet në shkresën e kryebashkiakut Veliaj. Kryebashkiaku Veliaj ka mohuar publikisht në të shkuarën se ka pasur rol aktiv në procedurat e koncesionit të mbetjeve në Tiranë, por dokumentet hetimore të Prokurorisë së Posaçme, të siguruara nga BIRN, tregojnë se Veliaj ishte nismëtari i këtij projekti dhe se propozimi i tij i hapi dritën jeshile koncesionit të inceneratorit të Tiranës.

Gjithsesi, propozimi i Veliajt u prit fillimisht me rrudhje vetullash në qeveri. Hetimet e Prokurorisë tregojnë se fllimisht ministri Shkëlqim Cani dhe më pas Arben Ahmetaj u bënë barrikadë ndaj propozimit të bashkisë së Tiranës, duke sjellë si rezultat përfshirjen e Ministrisë së Mjedisit në procedura. Bashkë me Ministrinë e Mjedisit, në projekt u përfshi edhe Klodian Zoto.

Veliaj nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi.

*Në një reagim dërguar 24 orë pas publikimit të shkrimit, kryetari bashkisë së Tiranës Erion Veliaj pretendoi se propozimi tij për PPP për trajtimin e mbetjeve në Sharrë ishte i bazuar në projektin e IFC-së ‘që ka nisur në kohën e Lulit’ dhe nuk ka lidhje me kontratën koncesionare që po hetohet aktualisht nga SPAK.

“Për projektin e IFC, që e gjeta të kryer në Bashki me 37eu toni, i kam shkruar qeverisë dhe e ka refuzuar. Me të drejtë! Kohë më pas vjen propozimi i pakërkuar në qeveri i kësaj që sot është në SPAK!” shkruan Veliaj.