Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka komentuar për herë të parë rastin e ish-këshilltares Alda Klosi, të cilës iu zbuluan shuma të mëdha parash të pajustifikuara, pas grabitjes nga pastruesja.

I pyetur nëse duhet të bëhet procesi i vetingut edhe për administratën shtetërore ai tha se nuk do e parandalonte dot  korrupsionin.

“A duhet të ketë veting në gjithë qelizat e administratës publike? Nuk mendoj që është masë permanente qe parandalon ngjarjet kriminale, vetingu është fotografi e momentit për një zyrtar, po pasi ta bëjnë vetingun çfarë do ndodhë? Ja e mori certifikatën e pastërtisë nuk do të thotë që fitoi imunitet ndaj korrupsionit.

Ndaj janë agjencitë ligjzbatuese e sistemi i drejtësisë, të gjitha kanë përgjegjësi sa i takon korrupsionit apo fenomeneve kriminale.

Vetingu në ato nivele që është menduar dhe zyrtarëve të lartë publik ka disa instrumente e mekanizma që kontrollohen zyrtarët e lartë. Unë jam për të ecur në linjën e funksionimit të shtetit të së drejtës e sundimit të ligjit“, tha ministri Manja.