Sadik Lala, mjeku i Gert Shehut, 31-vjeçarit që goditi Sali Berishën në protestën e 6 dhjetorit deklaroi se pacienti i tij nuk merrte mjekim rregullisht.

Lala u shpreh se disa nga simptomat e sëmundjes së psikozës, nga e cila vuan Shehu, janë deluzionet, halucinacionet dhe çrregullim i sjelljes.

“Ai ka qenë me mjekim. Nuk merrte mjekim rregullisht. Ne, ndryshe nga mjekësia e përgjithshme kemi një rubrikë të posaçme (ESM), ekzaminimi i statusit mendor që është standard në të gjithë botën. Historiku i sëmundjes së kaluar në një pacient kur ne bëjmë një raport të caktuar nuk ndryshon.

Ekzaminimi i statusit mendor bën pikërisht këtë gjë, si është perceptimi, si është të menduarit, si është sjella, mendimet nëse ka apo nuk ka deluzione. Thelbi i psikozës, minimumi janë dy nga tre simptomat e mëposhtme deluzionet, besimet e gabuara, halucinacionet dhe ajo që është më e rëndësishmja, çrregullim i sjelljes”, theksoi ai për euronews.

Gert Shehu, 31-vjeç sulmoi mesditën e së martës kreun e PD-së Sali Berisha, teksa ky i fundit ishte duke marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të marrë pjesë në protestë.

Ai goditi me grusht në fytyrë Berishën duke e gjakosur. Ai u ndalua menjëherë nga truprojat e Berishës dhe ndërkohë u dhunua nga mbështetës dhe simpatizantë të PD-së.