Zbulohen detaje të reja mbi rihapjen e hetimeve të dosjes 21 janarit, ku 10 vite më parë nga protesta e opozitës së kohës përpara selisë së Kryeministrisë mbetën të vrarë 4 mbështetësit e opozitës Hekuran Deda, Aleks Nika, Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj.
Mësohet se kërkesa për rihapjen e hetimeve është bërë në prokurorinë e Tiranës nga drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Japupaj. Dosja e bujshme tani është në dorën e prokurores Marjeta Zaimi.
Kërkohet të hetohet mënyra se si u vranë Aleks Nika dhe Hekuran Deda. Për çështjen e Aleks Nikës, i cili gjeti vdekjen pas plumbit të marrë në kokë, nuk u provua se nga cila armë u qëllua. Për këtë prokurorja Marjeta Zaimi do të kërkojë edhe rihetim të predhës së gjetur në kokën e Aleks Nikës, e cila në fakt, nga hetimi i parë që i është bërë në Turqi, ka rezultuar se është tërësisht e dëmtuar.
Akuza mësohet se do të kërkojë riekspertimin për të përcaktuar territorin e qitjes së plumbave, pasi protestuesit janë vrarë nga punonjësit të Gardës, si dhe do të kërkohet për të përcaktuar drejtimin se nga cili drejtim erdhën plumbat. Për këtë do të kërkohet si prova marrja e këqyrja e pamjeve filmike nga institucionet apo dhe mediat.
Sa i përket vrasjes së Hekuran Dedës, pati një akuzë zyrtare ndaj Ndrea Prendit dhe Agim Llupos, për mungesë provash mbeti e arkivuar. Është duke u përcaktuar dhe drejtimi i qitjes se nga kanë ardhur plumbat. Në të njëjtën platformë ku u vra Hekuran Deda ka pasur edhe persona të plagosur dhe mund të japin dëshmi për ngjarjen. Prokuroria pritet të thërrasë për këtë ngjarje ish-punonjës apo punonjës aktual të Gardës, të policisë.
Protesta e 21 janarit
Protesta e opozitës së drejtuar nga Partia Socialiste dhe Edi Rama, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, u përmbyll me vrasjen e 4 protestuesve. Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda u qëlluan nga Garda e Republikës, ndërsa ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi dhe gardisti Agim Llupo u dënuan me 1 dhe 3 vite e pak muaj burg.
Për ngjarjen është akuzuar nga Partia Socialiste ish-kryeministri Sali Berisha si urdhërues. Berisha e quan 21 janarin si një tentativë për grusht shteti dhe ka deklaruar se Garda duhet të qëllonte.
Në një intervistë të këtij viti, Berisha ka zbuluar se i kishte dërguar mesazh Edi Ramës përmes një diplomati ndërkombëtar se “nëse Edi Rama do të afrohej të nesërmen e 21 janarit pranë kryeministrisë dhe nëse vetëm një gjethe do të prekej, 5 snajpera do ta qëllonin”.
Familjarët e katër viktimave e kanë apeluar vendimin dhe në Gjykatën Europiane. Çështja u dërgua në Gjykatën Europiane të të drejtave të Njeriut me kërkesë të familjarëve të Aleks Nikës, të cilët paditën shtetin shqiptar që lidhet me mungesën e një hetimi efektiv për zbardhjen e ngjarjes dhe për mohimin e aksesit të familjarëve në fazën hetimore të procesit. Më 20 maj Avokatura e Shtetit ka venë në dijeni Këshillin e Ministrave për procesin gjyqësor dhe ka kërkuar që deri më datë 25 maj t’i vihet në dispozicion e gjithë dosja dhe veprimet hetimore.