Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi këtë të martë në një deklaratë për mediat ka dhënë detaje në lidhje me situatën e krijuar nga zjarret në vend dhe ka paraprirë pranisë së motit të keq në ditët e fundit.

Peleshi është shprehur se fatmirësisht falë punës së bërë nga autoritetet është bërë i mundur mbajtja nën kontroll i vatrave të zjarrit duke mos pasur asnjë humbje jete.

“Në ditët e fundit të verës së nxehtë e cila akoma nuk ka mbaruar, ku futemi në një tjetër sezon të emergjencave publike siç është ai i reshjeve.

Këtë vit mbrojtja civile ka funksionuar më së miri dhe kemi menaxhuar me sukses 465 vatra zjarri dhe kemi ruajtur objektivin primar nuk kemi asnjë jetë të humbur, kemi ruajtur pronat e shqiptarëve kemi ruajtur një pjesë të madhe të sipërfaqeve të pyjeve.

Në Vlorë, Dibër dhe Fier vijojnë vatra aktive të zjarrit. Nga Frakulli ku filloi dhe sezoni i zjarreve situate ka qenë e vështirë po me shumë angazhim arritëm që ta shmangim, zjarri në Qeparo në një zonë të banuar dhe turistike, një tjetër zjarr delikat ishte ai pranë kishës së Laçit ku pati një përqendrim të madh të forcave përkatëse dhe në Shpirag ku fatmirësisht kemi arritur që ta shmangim. Zjarr kemi aktualisht në pyjet e Lurës. Por tashmë kemi patur reshje në veri, dhe mund të ketë dalje nga shtrati të ndonjë përroi, apo përmbytje. I bëj thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë për çdo situatë emergjence, dhe më pas bashkive që të jenë të gatshëm”, tha Peleshi.