Rrogozhina ka mbetur e majtë. Edison Memolla ka korrur fitore në zgjedhjet e mbajtura një ditë më parë, duke mundur me shumë vota diferencë kandidatin e opozitës Shkëlqim Hoxha
Sipas të dhënave të KQZ, Edison Memolla mori 6658 vota ose 57.58 % të tyre dhe Shkëlqim Hoxha 4906 vota ose 42.42 %. Pra kemi një diferencë prej 1752 votash, ndryshe nga sa ndodhi më 14 maj, ku pas rinumërimit diferenca ishte 21 vota.
Votimi i të dielës, 23 korrik, u mbyll në orën 19:00 dhe pjesëmarrja ka qenë më e lartë se në zgjedhjet e 14 majit.
Vendimi për përsëritjen e zgjedhjeve u mor pas padisë së koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, që kontestonte rezultatin përfundimtar të këtyre zgjedhjeve dhe vendimin e KAS për njohjen e tyre. Ishte Kolegji Zgjedhor që vendosi ripërtëritjen e tyre, duke qenë se pas rinumërimit të kutisë së burgut, doli se rezultati ishte shumë i ngushtë.
Në zgjedhjet e 14 majit, në Rrogozhinë morën pjesë në votime rreth 11 mijë votues. Edison Memolla i Partisë Socialiste fitoi me 5129 vota përkundrejt 5108 vota të Shkëlqim Hoxhës të ‘Bashkë Fitojmë’, me vetëm 21 vota diferencë.
Por këtë herë duket se qytetarët kanë votuar ndryshe, ndoshta duke parë dhe rezultatin e 14 majit në rang kombëtar.