Shtyhet seanca ndaj gjyqtares Mimoza Margjeka. Shkak i shtyrjes së seancës u bë mungesa e gjyqtares se çështjes.


Margjeka akuzohet nga SPAK për korrupsion, pasi nga përgjimet e Prokurorisë së Posaçme rezultoi se, Margjeka ka marrë 6000 euro në këmbim të nxjerrjes së Orion Balit nga qelia kundrejt “garancisë pasurore”.


Së bashku me Margjekën në atë kohë SPAK mori nën hetim edhe bashkëshortin e gjyqtares, Arben Cara, avokatin e Balit, Skënder Demiraj, vëllanë e të pandehurit Nejton Balin dhe sekserin Klaudjo Zhilla.


Në disa shfaqje publike gjyqtarja Margjeka ka shpërthyer në akuza ndaj shtetit teksa ka theskuar se akuza e ngritur ndaj saj është një hakmarrje politike dhe ka lidhje me bashkinë e Durrësit, pasi nuk i dha mandatin kryebashkiakut të zgjedhur në zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019.


Krahas kësaj, Margjeka tha se ka pasur në dorë edhe dosjen me tetë tonë drogë, që siç tha ajo njihet ndryshe si dosja e “Gjirit të Lalëzit”.


Pas venidmi për arrest shtëpie dhënë një muaj më parë, me tonin e zërit të ngritur dhe në përplasje me policinë, gjyqtarja Mimoza Margjeka u shpreh se qyteti i Durrësit është i mbushur me kriminalitet, mafie dhe banda.


“Nuk i dhashë mandatin bashkisë së Durrësit. Aty është një vend me mafie, me banda, me kriminalitet. Nuk e dhashë mandatin isha e bindur, edhe sot ta kisha nuk do e jepja. Le të varroset familja ime, le të shkatërrohet nuk e meritonin mandatin, është mashtrim. E bënë me një kërkesë të PS. Është turp! Ku do e çoni këtë vend me këtë paturpësi?! E kuptoni sa mafie dhe sa krim ka? E kuptoni që unë kisha në dorë dosjen e Gjirit të Lalëzit. E kuptoni që kisha në dorë dosjen me tetë tonë drogë, që ishin 25 policë detyrim paraqitje, sepse drejtori i kufirit fuste drogën. Turp të keni, shtet mafioz, shtet kriminal!”, tha ajo.