Unioni i Himariotëve protestoi pasditen e sotme përballë ambasadës shqiptare në Athinë, kundër arrestimit të Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur në Himarë.

Vëllai i kryebashkiakut të zgjedhur, Leonard Beleri, tha për mediat se ata u përballën me një regjim dhe fituan. Beleri u shpreh se luftuan kundrejt shtetit dhe fituan kundrejt këtij regjimi. Po sipas tij, i vëllai do të luftojë për të gjitha padrejtësitë që i janë bërë.

“Ne luftuam me shtetin, me një regjim dhe fituam. Vëllai im është persekutuar për 15 vite nga shteti shqiptar, dhe ai është mësuar tashmë. Por ai do vazhdojë të luftojë që padrejtësitë të dalin në dritë”, tha Beleri. 

Protesta zhvillohet një ditë pasi Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e “arrestit me burg” për Fredi Belerin, i arrestuar një javë më parë nën akuzën e shit-blerjes së votave.

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, u arrestua më 12 maj në lokalin e tij, teksa ofronte para për të blerë 8 vota në shifrën e 40 mijë lekëve. Arrestimi erdhi pas denoncimit në prokurori nga një person, i cili kishte treguar se i ishin ofruar para në këmbim të votave.