“Unë jam i djathtë, shteti donte të më eliminonte”. Kështu ka deklaruar për emisionin “Shqipëria Live”, Lulzim Caka, një prej kriminelëve më të njohur të historisë së Shqipërisë.

Gjatë kësaj interviste, Caka, i cili njihet si “i forti i Beratit”, është shprehur se ai nuk është kriminel dhe se shteti ka dashur që ta vrasë për shkak se ishte i djathtë.

“Unë jam i djathtë, të eliminohesh fizikisht. Pse? Kam shpëtuar me 4 plumba në trup. Mora një informacion nga një polic dhe një mik i imi. Takuan mamanë dhe vëllain dhe i thanë se Lulin do ta vrasin, kush? Shteti”, ka thënë Caka.

Ky i fundit ka shtuar se Gani Malushi dhe Ilir Ngresi i kanë bërë atentat në vitin 1998.

“E kam gjetur veten mes 200 plumbave nga policia e drejtuar prej tyre. shpëtova me katër plumba dhe më arrestuan. Xhevahir Cela u vra me plumb në ballë”, tha më tej Caka.

Sipas tij, policia ka inskenuar sikur ishte ai vrasësi i Xhevahirit. Caka ka shtuar gjithashtu se Ilir Ngresi donte eliminimin e tij dhe se ai nuk e donte vrasjen e tij.

“I doja të dilnin para drejtësisë, të tregonin realitetin. Kush e di se sa bir nënash kanë vrarë. Kanë bërë pis uniformën e shtetit, nuk janë dëshmorë. Vrasja e Negresit është zbardhur, e dinë të gjithë kush e vrau”, tha ndër të tjera i “tmerrshmi i Beratit”.