Ditën e sotme me kërkesë të SPAK,  Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka sekuestruar pasuritë e Redjan Rrajës e familjarëve të tij. Bëhet fjalë për një apartament në Tiranë, dy njesi tregtare, dy garazhe, dy makina tip “Audi – A8”, një automjet ‘Bentley’, një orë “Roleks” dhe një sasi eurosh.

Redjan Rraja nuk është një emër i panjohur për publikun, ai u arrestua pas një super-aksioni të Policisë së Durrësit, FNSH-së dhe RENEA-s, për atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoji, i ndodhur te mbikalimi i Shkozetit. 

Mediat shkruajnë se Redjan Rraja rezulton të jetë përfshirë në dy ngjarje, që krijuan një impakt të madh në opinionin publik shqiptar, siç ishte vrasja e Elton Çiços dhe dhuna ndaj Xhisiela Malokut.

Rraja është dënuar me 8 muaj burg nga Gjykata e Tiranës, pasi u akuzua për “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” në vrasjen e mikut të tij, Elton Çiço, më 1 maj 2016.

Në atë kohë, gjykata akuzoi Redjan Rrajën se kishte treguar veprimet e viktimës në shoqërinë e tij, para se ai të qëllohej për vdekje, në një lokal në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë. Rraja ka qenë i ulur në tavolinë me Çiçon, kur ky i fundit është qëlluar me breshëri plumbash, duke mbetur i vdekur në vend.

Rasti i Xhisiela Malokut

Ndërkohë, emri i Redjan Rrajës del edhe në ngjarjen e bujshme të dhunës së ushtruar ndaj Xhisiela Malokut. Ishte ish-oficeri i Fushë Krujës, Emiljano Nuhu, që kallëzoi në komisariatin numër 6, në Tiranë, se është kërcënuar nga Redjan dhe Ramazan Rraja, për çështjen “Xhisiela”.

“Ne e shkrijmë të gjithë komisariatin dhe ty s’të kemi asgjë. Do të të zhdukim ty bashkë me familjen, po thirre më njeri nga fisi jonë ta marrësh në pyetje. Do të zhdukim ty bashkë më familjen tënde për 24 orë nëse vazhdon merresh me ne dhe mos të të shohim më në Fushë Krujë. Ligjin në Fushë Krujë e bëjmë ne dhe jo ti”, mësohet se i kishin thënë oficerit Redjan dhe Ramazan Rraja.

Lidhja me modelen Kejvina Kthella

Mediat shkruanin se Redjan Rraja kishte një histori dashurie me modelen Kejvin Kthella. Sipas mediave modelja e njohur jo vetëm që kishte kohë në një lidhje me Redjanin por pranonte edhe dhurata luksoze prej tij. 

Kejvina kishte në përdorim një makinë superluksoze, që është në pronësi të “Darës së Krujës”, e që kushton jo pak por rreth 30 mijë euro dhe që është sekuestruar. 

Ndërkohë Gazeta TemA, në një artikull për modelen Kthella shkruan se ajo bashkë me Rrajën kishin pafund mesazhe bashkë.

Kujtojmë se modelja asokohe u pyet nga grupi hetimor për marrëdhënien e saj me të akuzuarin Redjan Rraja. Shkak për këtë është bërë alibia që Rraja ka zbuluar për hetuesit, kur ka thënë se nuk ka patur gisht në atentatin e Arjan Ndoj, pasi në atë kohë kur ka ndodhur ngjarja ai ka qenë bashkë me të dashurën e tij.

Alibia e Rrajës sqaron edhe marrëdhënien e tij me Kejvinën, ku i “forti” i fisit Rraja, shkon edhe më tej kur thotë se Kejvina nuk është thjesht një shoqe./Gazeta Shqip