Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla  ka hedhur poshtë akuzat se në 2016 është vënë në përgjim nga Prokuroria e Elbasanit për shkak të komunikimit me grupet e dyshuara kriminale.

Në një intervistë televizive, Balla tregon versionin e tij për sa i përket këtyre pretendimeve, duke e cilësuar si një orkestrim politik.

“Nuk ka asnjë gjë të vërtetë në të gjithë këtë histori të gatuar nga kuzhina e babalerisë së Sali Berishës. Përballja me Sali Berishën të bën të përballesh me trillime çnjerëzore të këtij niveli.

I  jam drejtuar gjykatës. Në këtë rast mbajeni mend, do të dalë dhe do të thotë që nuk ka qenë Taulant Balla por ka qenë një deputet i Partisë Demokratike”, deklaroi Balla.

Ndryshe nga 2019, kur PS shkoi e vetme në zgjedhje vendore pasi opozita vendosi të bojkotonte, për lokalet e 14 majit selia rozë do të pyesë qytetarët para se të zgjedhë kandidatët e saj.

“Në një pjesë të këtyre bashkive sondazhet kanë përfunduar, në një pjesë vazhdojnë, do të vazhdojnë, do të jetë e nevojshme të ribëjmë se nga konsultimet dalin propozime, për të cilët duhet bërë sondazh”.

Për disa socialistë, drejtimi i një bashkie është më joshës se një mandat deputetit.

“Unë nuk jam një mbështetës i idesë që deputetët duhet të jenë garues, natyrshëm që ka por kjo duhet të vlerësohet hap pas hapi”.

Shkodra, i vetmi bastion që socialistët nuk kanë arritur t’ia marrin demokratëve, do të ketë një vëmendje të veçantë nga ana e mazhorancës.

Balla tha se sipas sondazheve të selisë rozë, PS ka mbështetje më të lartë se në zgjedhjet e 2021, pavarësisht se skema për të zgjedhur kryebashkiakët mund t’i komplikojë llogaritë e socialistëve.