Togat e zeza, ishin të gjithë pro lirimit nga burgu të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Asnjë nga pjesëmarrësit në këtë proces nuk ka shfaqur mendim kundër që ish-deputeti i Partisë Socialiste, të qëndronte në burg.
Ora News raporton se përfaqësuesi i prokurorisë Elbasan, Mustafa Turku, përfaqësuesit e Shërbimit të Provës Tiranë, juristi i burgut të Kosovës në Lushnjë, si dhe vetë gjyqtarja Matilda Fetahu, ishin dakord që Saimir Tahiri të linte ambientet e burgut të Kosovës në Lushnje.
Kështu edhe gjyqtarja e çështjes Matilda Fetahu, ka miratuar kërkesën e avokatëve mbrojtës, duke vendosur në 2 qershor 2023, të pezullojë ekzekutimin e dënimit në ambientet e burgut për Saimir Tahirin, në mënyrë që pjesën tjetër të dënimit ta kalojë në shtëpinë e tij.
Sipas vendimit të gjykatës, Tahiri ka përdorur një epikrizë mjekësore të bashkëshortes së tij, Fatlinda Tahiri, e cila del se e ka të pamundur të kujdeset për dy fëmijët e mitur, për shkak të gjendjes shëndetësore ku ndodhet. Duke u bazuar në nenin 59/a të Kodit Penal, Tahiri ju drejtua gjykatës së Elbasanit me një kërkesë për vuajtjen e dënimit të mbetur me qëndrim në shtëpi.
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do ta kalojë kohën e mbetur të dënimit, 20 muaj, në shtëpi dhe jo më në burg.