Të paligjshmit do shkojnë në Ruanda Gjykata e Lartë Britanike shpalli të ligjshëm planin e qeverisë për të dërguar azilkërkuesit në kampet e ngritura në Ruanda, pavarësisht se Gjykata Europiane për Të Drejtat e Njeriu kundërshtoi një masë të tillë.

Partneriteti i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar me vendin e Afrikës Lindore ka qenë subjekti i kritikave të ashpra që kur u njoftua nga autoritetet.

Ndërkohë Sekretarja e Brendshme, Suella Braverman, mirëpriti vendimin e Gjykatës së Lartë.

“Ne gjithmonë kemi thënë se kjo politikë është e ligjshme dhe sot gjykata e ka thënë këtë. Unë jam e përkushtuar që ky partneritet të funksionojë. Partneriteti jone me Ruanden do te prishe modelin e biznesit të bandave të trafikimit të njerëzve duke vënë në rrezik jetët përmes kalimeve të rrezikshme dhe të paligjshme me varka të vogla”, tha Braverman.

Në prill, Britania e Madhe arriti një marrëveshje me Ruandën duke synuar dërgimin e dhjetëra mijëra emigrantëve në këmbim të 140 milionë paundëve. Mijëra shqiptarë janë mes atyre që kanë udhëtuar drejt Britanisë së Madhe në rrugë ilegale gjatë këtij viti, pjesa më e madhe e të cilëve nëpërmjet gomoneve nga kanali i La Manshit.

Kjo temë u diskutua ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku në lidhje “Skype” nga Anglia ishte avokati i njohur, Naim Hasani.

Sipas avokatit Hasani, kërkesa për azil do të jepet në Ruanda dhe nuk ka lidhje fare me Mbretërinë e Bashkuar.

“E dyta që është e rëndësishme, beteja ligjore që mbaroi fazën e parë dje, nuk është fundi, ishte vetëm faza e parë. Më 16 janar Gjykata e Lartë do të shqyrtojë kërkesën ndaj këtij vendimi”, tha Hasani.

I pyetur se ka kush ta çojë në apel vendimin e qeverisë britanike, avokati i njohur u shpreh:

“Janë avokatët, unë jam i përfshirë drejtpërdrejt në këtë betejë ligjore. Është një vendim i gjatë që po e shqyrtojmë. Ne do të gjejmë argumentet për ta çuar në apelim. Është një çështje themelore e të drejtave të njeriut në Britaninë e Bashkuar. Mund të zgjasë edhe 1 vit”.

Avokati Hasani shtoi gjithashtu se për 25 vite nuk ka dëgjuar ndonjëherë që emigrantët të vendosën nëpër hotele.

“Kjo gjë u bë nga kjo qeveri sidomos në kohën e Covid dhe më pas mbeti ashtu. Ndërsa sa i përket kthimit brenda ditës, brenda 2 orësh për që nuk kanë të drejtë që të qëndrojnë, nuk është ashtu. Mund të ketë një procedurë të përshpejtuar”, tha Hasani.

Avokati sqaroi se nëse qeveria e Britanisë së Madhe e ka nisur shqyrtimin e kërkesës për azil, atëherë nuk ka lidhje me Ruanda-n.