Hakerat iranianë nuk kanë të ndalur. “Homeland Justice” këtë herë ka publikuar të tjera të dhëna.

Bëhet fjalë për 4 lista. Secila përmban 269, 276, 271 dhe 172 emra. Këto lista janë shpërndarë në grupin tashmë të njohur që përdoret në Telegram.

Foto, të dhëna personale dhe emra: të gjitha këto gjenden në listat me identitetet e shqiptarëve.

Hakerat iranianë kanë marrë përsipër sulmet kibernetike që janë regjistruar në Shqipëri gjatë korrikut dhe në shtator.

Ata kanë shpërndarë herë pas here material të Policisë së Shtetit, pamjet filmike të kamerave të sigurisë në pikat kufitare të vendit, përfshirë dhe aeroportin “Nënë Tereza”, duke i shpallur ‘luftë’ shtetit shqiptar. Vetëm një javë më parë qarkulloi një material me emra shqiptarësh e foto, mes tyre dhe të inkriminuar. Pavarësisht se Homeland Justice deklaroi se ishte kartoteka e MEMEX, Policia e Shtetit e mohoi një gjë të tillë.