Një 23-vjeçar nga Amerika është arrestuar në aeroportin e Rinasit, pasi u kap në tentativë për të futur veshje dhe aksesorë të markave të ndryshme me vlerë rreth 150 mijë eurove në vendin tonë.
Njoftimi:
Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare Rinas, në bashkëpunim me autoritetet doganore, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, krahas punës për ofrimin e shërbimit cilësor për qytetarët në hyrje/dalje, është goditur 1 rast i kontrabandës së mallrave.
Në bazë të analizave të riskut, në hyrje, u kalua për kontroll shtetasi amerikan H. Z., 23 vjeç.
Gjatë kontrollit në valixhet e këtij shtetasi, janë gjetur mallra të ndryshme që ai nuk i kishte deklaruar në doganë, siç përcaktohet me ligj.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar veshje dhe aksesorë të markave të ndryshme (ora dore, syze dielli, çanta etj.) me vlerë rreth 150 000 mijë euro.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi H. Z., 23 vjeç, banues në SHBA, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.