Tre ditë pasi Policia e Shtetit parandaloi një vrasje në Elbasan, arrestohet sot 23-vjeçari që dyshohet se ka kryer krimin. Në pranga ka rënë i riu Brikin Rusta u kap në rrugën “Tomorr Sinani” gjatë aksionit policor të koduar “Plani”. 23-vjeçari kishte planifikuar që më datë 26 Maj të vriste një 24-vjeçar me të cilin ishte konfliktuar më parë, Mariglen Hidën, i cili më parë ka qenë i dënuar 2 herë me vrasje.
Pas një sherri, ai ka marrë armën e tij, e ka shkuar për të qëlluar Hidën, por ka kuptuar që është pikasur dhe në lagjen “Qemal Stafa”, në rrugën “Tomorr Sinani”, ka hedhur armën e zjarrit në rrugë dhe është larguar me shpejtësi.
Policia vuri në pranga 41-vjeçarin dhe shpalli në kërkim Briken Rustës, 23 vjeç dhe Klaudjo Sulmina, 22 vjeç (22-vjeçari i dyshuar bashkëpunëtor i Brikin Rustës për kryerjen e kësaj ngjarjeje kriminale). Pas ngjarjes, në bazë të hetimeve të kryera, policia ka kryer kontrolle edhe në banesën e Boiken Bahitit, 41-vjeç, banues në Elbasan. Atij ju gjetën në banesën, 1 armë zjarri automatik PMSH, municion luftarak, rreth 300 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa dhe një radio si të Policisë.
Elbasan/Vijon operacioni policor i koduar “Plani”. I shpallur në kërkim për tentativë për vrasje, në kuadër të operacionit policor të koduar “Plani”, lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga 23-vjeçari. Kapet dhe vihet në pranga edhe një shtetas tjetër, për moskallëzim të krimit. Strukturat për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në vijim të punës kërkimore të pandërprerë për kapjen e autorit kryesor të dyshuar të një tentative për vrasje në qytetin e Elbasanit, si dhe bazuar në inteligjencën policore, kanë lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga në rrugën “Tomorr Sinani”, shtetasin e shpallur në kërkim B. R., 23 vjeç, banues në Elbasan.
Së bashku me shtetasin B. R., është arrestuar edhe shtetasi E. Rr., 24 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi E. Rr, nuk ka kallëzuar krimin për armën dhe drogën e gjetur në banesën e shtetasit B. B., të arrestuar gjatë operacionit të koduar “Plani”, të zhvilluar më datë 26.05.2023, si dhe ka përkrahur shtetasin B. R.. Nga veprimet hetimore të deritanishme, dyshohet se 23-vjeçari, më datë 26.05.2023, kërkonte të vriste një 24-vjeçar të dënuar 2 herë më parë, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, me të cilin ishte konfliktuar më parë. Shtetasi i ndaluar B. R., në pamundësi për të realizuar planin e tij për vrasjen e 24-vjeçarit, si rezultat i presionit të shtimit të shërbimeve në terren, ka hedhur armën e zjarrit në rrugë dhe është larguar.
Më datë 26.05.2023, në kuadër të këtij operacioni, është shpallur në kërkim edhe shtetasi K. S. (lidhje shoqërore e shtetasit B. R.). Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për sqarimin e plotë të implikimit ose jo të këtij shtetasi, në këtë ngjarje. Ndërkohë, vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.