Top Story do të tregojë të gjithë “sagën” e abuzimit financiar të realizuar nga përmbaruesit privat.  Ministria e Drejtësisë ka bërë publike një listë me rreth 55 përmbarues ose ish përmbarues që ju është hequr certifikata e profesionit.


Ligji parashikon se nëse një përmbaruesi i hiqet certifikata për shkelje të rënda, ai duhet të dorëzojë dokumentacionin pranë Ministrisë së Drejtësisë.


Afati për dorëzimin është tre ditë pas heqjes së certifikatës. Ky detyrim ligjor nuk është përmbushur duke shkaktuar një problematikë në dy vitet e fundit për palët e përfshira në proceset përmbarimore, veçanërisht kur në këto palë ka qenë edhe vetë shteti.



“Nëse i hiqet licenca një përmbaruesi ose për një arsye tjetër ai nuk e ushtron me këtë profesion duhet patjetër te arshivohen dosjet përmbarimore ato qe ka ekzekutuar dhe ato qe ka në ekzekutim” u shpreh Saimir Hoxha, përmbarues.


Rreth 11 përmbarues gjyqësor të prirë nga Arben Meskuti nuk kanë dorëzuar për një kohë të gjatë dosjet e kreditorëve dhe debitorëve.


Mos dorëzimi i dosjeve prej tyre nuk ka bërë të mundur që të vijojë puna nga përmbaruesit e tjerë. Kështu ata mbajnë peng me mijëra raste si palë debitore. Ata i mbajnë nën sekuestrime përmbarimor të rënda dhe të padrejta për një kohë të gjatë.


“Kodi i Procedurës Civile ne qoftë se do te shqyrtojmë nenin 577 është shprehur nëse kur ajo prone qe është sekuestruar nuk është shitur ne ankand sekuestro duhet te anulohet nga përmbaruesi gjyqësor dhe te kontrollohet për pasuri te tjera” u  shpreh Saimir Hoxha, përmbarues .


“Duke mbajtur pronat e bllokuara duke mos ekzekutuar vendimin , ndërkohë ju rriten interesat ju rriten detyrimet dhe ata shkojnë drejte falimenti” u shpreh Vasilika Hysi, avokate.


“Kalimi nga një përmbarues në një përmbarues tjetër bën rritjen artificiale te detyrimit nëpërmjet rritjes se pagesave për përmbaruesin”u shpreh Jordan Daci, avokat.


Në këtë situatë Ministria e Drejtësisë ka kërkuar nga të gjithë këta 11 përmbarues që të dorëzojnë dokumentacionin që mban peng qytetarët.


Në të njëjtën kohë është kërkuar nga institucionet që të hiqen sekuestrot e vendosura prej tyre. Deri më sot këta përmbarues nuk kanë dorëzuar materialet e kërkuara.