Që prej fillimit të muajit shkurt me një votim në Parlament të një Akti Normativ, Policia e Shtetit ngriti strukturën që do hetonte, verifikonte dhe vlerësonte të drejtën e sekuestrimit për pasuritë e vëna përmes aktivitetit kriminal. Por, ligji që u botua më vonë në Fletoren Zyrtare kishte të përcaktuar edhe një pikë krejt ndryshe e për të cilën duket se është anashkaluar nga institucione të tjera.


Sipas nenit 37 të Aktit Normativ, OFL ka për të detyrë të administrojë bazën e të dhënave shtetërore për krimin e organizuar dhe terrorizmin. Në pikën dy të po këtij neni thuhet se baza e të dhënave shtetërore mbi informacionin për krimin e organizuar dhe         terrorizmin përmban 5 pika.


Më konkretisht ajo përmban çdo vendim penal, pavarësisht nëse kanë marrë formë të prerë ose jo, çdo vendim penal të dhënë jashtë shtetit ndaj shtetasve shqiptarë ose të huaj ose pa shtetësi, por me banim në shtetin shqiptar, çdo vendim mosfillimi të procedimit,  pushimit të akuzës ose çështjes ose për dërgimin e çështjes në gjyq, çdo vendim për marrjen e masave parandaluese personale dhe çdo vendim për marrjen e masave parandaluese me karakter pasuror dhe ekonomik.


Tashmë njësia OFL regjistrohen si të dhëna parësore në këtë bazë të dhënash gjykatën ose autoritetin tjetër që e ka dhënë vendimin, gjeneralitetet e të pandehurit, të të dënuarit ose të shtetasit ndaj të cilit është marrë vendimi.


Deri këtu duket se nuk asgjë antiligjore, por burime të Gjykatës dhe Prokurorisë e kundërshtojnë ndërhyrjen në arkiva, duke e justifikuar me shuarje të masës së sigurisë, ose shuarje të dënimit pas një 10 vjeçari, në rastet e veprave penale jo të kategorizuara të rënda.


Baza e të dhënave sipas këtij akti normativ ndërvepron me bazat e të dhënave të sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë vendase dhe të autoriteteve juridiksionale të huaja në bazë të marrëveshjeve të bashkëpunimit reciprok.


Një tjetër detaj që duket se bën diferencën e njësisë OFL me institucionet e tjera lidhet me detyrimin e dorëzimit të dokumentacionit.  Policia e Shtetit kërkon pranë çdo zyre të administratës shtetërore, enti a personi juridik publik, personave të tjerë fizikë dhe juridikë, të dhëna e kopje të dokumenteve, që vlerësohen si të domosdoshme për qëllime verifikimi ndaj pasurive të personave të parashikuar në nenin 5, të këtij akti normativ.


Madje, me autorizim të lëshuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, mund të vendosin sekuestrimin e dokumenteve të shqyrtuara.  Institucionet,entet apo personat juridikë publikë, personat fizikë dhe juridikë, që nuk zbatojnë detyrimet sipas parashikimeve të këtij neni, përgjigjen dhe mbajnë përgjegjësi sipas dispozitave ligjore në fuqi.


©Copyright Gazeta Shqip


Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.