Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 16 Nëntorit në Bari të Italisë, ku një shqiptar ka qëlluar me armë zjarri gruan e tij 18-vjeçare dhe më pas ka vrarë veten.
Lamia Elamri me origjinë marokene u transportua në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Oltjon Sallaku ka vdekur në vend pasi qëlloi veten.
Sipas mediave italiane, tragjedia ka ndodhur në rrugën “Martin Luther King” në Cassano delle Murge dhe mësohet se ka ardhur pas një konflikti mes tyre.
Shqiptari dhe 18-vjeçarja janë prindër të një vajze 2-vjeçare, e cila në momentin e ngjarjes ndodhej me gjyshen nga nëna. Oltjoni punonte si shtrues pllakash në Bari dhe cilësohet nga të gjithë si një djalë i mirë. Ende nuk janë zbuluar shkaqet reale të krimit.
Ngjarja e rëndë u diskutua ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live”, ku në lidhje “Skype” nga Italia ishte gazetarja, Alba Kepi.
Kjo e fundit u shpreh se kjo ngjarje që ka tronditur publikun italian dhe atë shqiptar, mund të ketë ndodhur edhe për shkak të xhelozisë.
“Çifti mund të ketë pasur një grindje që më pas ka arritur në këtë ngjarje tragjike. Si djali ashtu edhe vajza janë në moshë të re. I ndjeri pretendonte se ka qenë sipërmarrës”, tha Kepi.
Sipas gazetares, shqiptari pasi ka goditur 18-vjeçaren ka menduar se e ka vrarë dhe më pas ka marrë aktin për t’u vetëvrarë.
E pyetur se si ka mundësi që Sallaku kishte një armë, gazetarja u shpreh:
“Italia po e merr në diskutim së fundmi këtë, pasi nuk ka një database për armët me leje të rregullt apo të parregullt”.
Kepi u shpreh në fund se mediat italiane shkruajnë për shqiptarin e ndjerë se “ishte një sipërmarrës që kishte realizuar ëndrrat e tij në Itali”, duke shtuar se “ndoshta vjen nga një familje biznesi”.