Policia ka dhënë detaje në lidhje me shpërthimin e tritolit, të ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, në banesën e një efektivi policie në Shkodër.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur në fshatin Bardhaj, në banesën e Valter Serrës, me detyrë oficer patrulle. Nga shpërthimi është dëmtuar automjeti tip “Volkswagen” në pronësi të efektivit dhe janë shkaktuar dëmtime të lehta në banesën e tij.

 Autorët ishin duke lëvizur me një makinë, ndërsa kur janë afruar pranë shtëpisë së policit kanë hedhur lëndën plasëse në oborr dhe janë larguar me nxitim. Megjithatë, sipas uniformave blu, ata kanë lënë gjurmë në vendngjarje, që mund të shpërbejnë si prova për identifikimin e tyre.

Njoftimi i policisë:

Më datë 30.12.2022, rreth orës 02:00, në fshatin Bardhaj, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, para banesës së shtetasit V. S., me detyrë punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Shkodër.

Si pasojë është dëmtuar automjeti tip “Volkswagen” në pronësi të këtij shtetasi dhe janë shkaktuar dëmtime të lehta në banesën e tij.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, nga veprimet e para hetimore, ka siguruar prova që do të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.