Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë një tronditje të fortë, pasi ish-ministri i saj, Nasip Naço i është bashkuar Partisë Socialiste.

Naço e njoftoi largimin e tij nga LSI, duke e cilësuar ish-partinë e tij një eksperiment politik, në krah të ministrit Blendi Klosi gjatë ceremonisë së hedhjes së kryqit në Berat.

“Berati dhe Shqipëria nuk kanë më nevojë për eksperimente politike. Kanë nevojë të ecin përpara. Kam qenë pjesë e kabinetit qeveritar nga LSI bashkë me PS. Sot jam me z.Klosi dhe në të ardhmen do të jem në krah të z.Klosi”, tha Naço.

Ish-ministri tha se po shkon në PS për të përfaqësuar votuesit e tij. “Shqipëria nuk ka më nevojë për eksperimente politike. S’ka nevojë për njerëz që janë vasalë të dikujt tjetër, por kanë nevojë të përfaqësojë një pjesë të elektoratit në Berat, i cili është i papërfaqësuar që kërkojnë që votat e tyre të shkojnë për të majtën progresiste. Eksperimentet janë të së kaluarës. E ardhmja i përket të majtës progresiste“, tha Naço.

Naço i shoqëruar nga ministri i Turizmit, Blendi Klosi gjatë një vizite në Berat, bëri të ditur bashkimin e tij më PS, ndërsa vetë Klosi tha se socialistët do të marrin 5 deputet në Berat.

Kjo lëvizje e bujshme, pasi Naço ishte një figurë e rëndësishme e LSI, anëtar i Kryesisë. Pas largimit nga posti i minsitrit Naço pati një ftohje me këtë parti.