Është zbardhur ditën e sotme për mediat dosja e prokurorisë së posaçme, që çoi në pranga kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako dhe zyrtarë të tjerë që kanë mbajtur poste publike në qytetin bregdetar.
Kujtojmë se Dako akuzohet për shpërdorim detyre, kryer në bashkëpunim, në dy raste dhe është arrestuar ditën e djeshme.
Në rastin e parë bëhet fjalë për dëmtimin e një pallati në Durrës që u dëmtua nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019 dhe rasti i dytë për një procedurë prokurorimi projekt zhvillimor vlera e të cilit është “fryrë” duke kapur shifrën e 220 milionë lekëve të vjetra, nga përllogaritjet që ka bërë SPAK.
Po kështu, kontrolli i kuotës është bërë më 27 Nëntor 2014 dhe pagesa e tarifës është bërë më 16 Shkurt 2015. Në 19 Maj 2015 është bërë pagesa e tarifës për lejen e përdorimit dhe më 27 Maj 2015 është miratuar certifikata e përdorimit nga drejtori i Planifikimit të Territorit, Adhurim Qehajaj, dhe po në të njëjtën datë është nënshkruar nga Vangjush Dako, si kryebashkiak në atë kohë, dhe shkresa i është dërguar Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës.
Sipas dosjes së SPAK, rezulton se për rastin e parë, atë të pallatit, zbardhja e lejes së ndërtimit është bërë më 14 Tetor 2014 ndërsa pagesa e tarifës më 16 Mars 2015. Kurse kontrolli i karabinasë së përfunduar është bërë më 10 Shkurt 2015 dhe pagesa e tarifës më 9 Prill 2015.
Sipas dosjes së SPAK, “aktet për këtë pallat janë përpiluar në një hark të shumë të shkurtër kohor dhe rezulton se qëllimi i vërtetë i zyrtarëve të Bashkisë Durrës por dhe i ndërtuesit ka qenë pajisja me dokumentacionin tekniko-ligjor të ndërtimit të objektit, i cili jo vetëm kishte përfunduar shumë kohë më parë, por dhe objektivisht ka qenë i pamundur të ndërtohet në një afat kohor prej 7 muajsh dhe në këtë afat kohor të përpilohen të gjitha dokumentet”.
SPAK evidenton gjithashtu se në projekt ishte parashikuar që ashensori të zbresë deri në pjesën e garazhdeve, ndërtim ky që nuk është bërë.
Në rastin e dytë që Dako akuzohet për shpërdorim detyre, SPAK ka marrë indicie nga kallëzimi i bërë nga demokrati Ferdinand Xhaferraj.
Bëhet fjalë për shëtitoren bregdetare dhe plazhin publik nga Brryli deri në Currila, ku Dako i ka shkaktuar një dëm ekonomik buxhetit të shtetit që llogariten në vlerën e 18 milionë lekëve të rinj.
“Në vitin 2020, Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedimin jetër nr 270 për shpërdorim detyre bazuar në kallëzimin e Ferdinand Xhaferraj i cili në kohën e bërjes së padisë ishte kryetar i PD në Durrës. Ai pretendon në kallëzim se gjatë tenderimit të studimit për “projektin zbatim për shëtitoren bregdetare dhe plazhin publik nga Brryli deri në Currila”, të parashikuar në buxhetin e bashkisë së Durrësit janë shkelur dispozitat e ligjit të prokurimit duke shkaktuar një dëm ekonomik të konsiderueshëm prej rreth 18 milionë lekë (të reja) në buxhetin e institucionit”, thuhet më tej në dosjen hetimore.
10 personat e arrestuar nga SPAK për këtë dosje janë:
Vangjush Dako, ish kryebashkiaku i Durrsësit. Akuza: Shpërdorim detyre 2 herë. Masa e sigurisë: Arrest me burg
Adhurim Qehajaj, ish drejtori i Urbanistikës së bashkisë së Durrësit. Akuza: Shpërdorim detyre dy herë dhe falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve të kryer në formën e falsifikimi të formulave të miratuara nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpumin. Masa e sigurisë: Arrest me burg
Fiqiri Farruku, administrartor i firmës së ndërtimit Fakle Sh.p.k. Akuza: falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve të kryer në formën e falsifikimi të formulave të miratuara nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpumin. Masa e sigurisë: Arrest me burg
Ermal Lama, specialist i Urbanistikës së bashkisë së Durrësit. Akuza: Shpërdorim detyre dy herë dhe falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve të kryer në formën e falsifikimi të formulave të miratuara nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim. Masa e sigurisë: Arrest me burg
Fatmir Ejupi, specialist i Urbanistikës së bashkisë së Durrësit. Akuza: Shpërdorim detyre dy herë dhe falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve të kryer në formën e falsifikimi të formulave të miratuara nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim. Masa e sigurisë: Arrest me burg
Adrian Bulku, Akuza: Shpërdorim detyre dy herë dhe falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve të kryer në formën e falsifikimi të formulave të miratuara nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim. Masa e sigurisë: Arrest me burg
Adnand Toçila, përgjegjës i zyrës urbanistike. Akuza: Shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim. Masa e sigurisë: Arrest me burg
Meri Semini, specialist i Urbanistikës së bashkisë së Durrësit.Akuza: Shpërdorim detyre dy herë dhe falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve të kryer në formën e falsifikimi të formulave të miratuara nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre dhe në bashkëpunim. Masa e sigurisë: Arrest në shtëpi
Firzilet Hajdëri, Akuza: Shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim. Masa e sigurisë: Arrest me burg
Diana Dedja, specialist i Urbanistikës së bashkisë së Durrësit. Akuza: Shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim. Masa e sigurisë: Arrest me burg
Pjesë nga dosja:
“Në lidhje me faktin objekt hetimi të kallëzuar nga banorët e pallatit të ndërtuar nga shoqëria “Fakle” sh.p.k.
Nga hetimet nga prokuroria është administruar nga Drejtoria e Urbanistikes Pranë Bashkise Durrës, i gjithë dokumentacioni i dosjes në të cilën bazohet vendimi për miratimin e lejes së ndërtimit, deri në marrjen e lejes së shfrytëzimit për këtë objekt. Nga sa rezulton nga aktet, në datën 06 Maj 2009 administratori i Shogërise “Fakle sh.p.k.” shtetasi Fiqiri Faruku, ka paraqitur kërkesën për miratimin e kondicioneve të sheshit e ndërtimit pranë Sekretarisë Teknike të Këshillit të Rregullimit të territorit pranë Bashkisë së Durrësit me qëllim zhvillimin më pas të sheshit për të ndërtuar në te një objekt 1, 4, 6 dhe 7 kate+ papafingo+garazh nëntokë e kati përdhe dyqane. Sipas kërkesës lartësia e përgjithshme e objektit do të ishte 23.2 m dhe koeficenti i shfrytëzimit të truallit 88.3%.
Në datën 15 Korrik 2010, shoqëria ndërtuese ka marrë “Pëlqim mjedisor” me Nr. 81 Prot., date 15 Korrik 2010 me Nr. 40 me vendim te Agjencisë Rajonale te Mjedisit Durrës. Kjo agjenci ka dhënë’ mendim për “Pëlqim mjedisor” për ndërtimin e një shtese dy kate mbi objektin 1-4-6-7+papafingo+1 kat nëntokë” me sipërfaqe totale 250.7 m2. Së bashku me këtë dokument janë dhe dokumentet e tjera si lidhja e objektit me infrastrukturën inxhinierike, me objekt shtesë 2 kate +papafingo, mbi pallatin 7 katesh + 1 kat nëntokë. Në datën 02 Shtator 2010, Është kontrolluar praktika nga specialisti i Urbanistikës së Bashkisë Durrës, dhe në formularin përkatës të pranimit të praktikës, është përmendur dhe studimi gjeologjik, ndërkohe që për Studimin Sizmiologjik, specialisti ka nënshkruar se nuk nevojitej përderisa objekti është deri në shtatë kate.
Në datën 06 Shtator 2010, Departamenti i Urbanistikës pranë Bashkisë Durrës ka autorizuar subjektin për pagimin e taksave he tarifave, dhe konkretisht taksën e ndikimit në infrastrukturë, të cilat janë paguar nga subjekti në datën 07 Shtator 2010. Në datën 10 Shtator 2010 K.Rr.T. pranë Bashkisë Durrës, ka miratuar “destinacionin e sheshit të ndërtimit” dhe kondicionet urbane tê tij, me anë te formularit Nr. 2, Nr. 3989 Prot. Date 10- Shtator 2010, për objektin Godinë Banimi dhe shërbimi 1-4-6-7 kate mbi tokë dhe një kat nën tokë garazhe, kati përdhe shërbim. Lartësia e përgjithshme e miratuar është 21.5 m dhe jo 23.2 m sikurse ishte në kërkesën e subjektit. Koeficenti ndërtimit është miratuar 74.1 % dhe jo 88.3% siç është kërkuar nga subjekti, dhe siperfaqja e ndërtimit 222.3 m2 dhe jo 265 m2 sikurse ka paraqitur subjekti kërkesë. Nga ana e K.RR.T. nuk është miratuar leja e ndërtimit sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi- investitori sipërmarrës, pasi nuk është miratuar papafingo apo kati i tete i ndërtesës, dhe kjo konstatohet sipërfaqja është 1198.7 m2 Në datën 20 Dhjetor 2010, pra tre muaj e dhjetë ditë nga miratimi i lejes së ndërtimit.
Subjekti ndërtues “Fakle sh.p.k.” ka dorëzuar një kërkese për rikondicionim dhe shtesë kati për lejen e miratuar në Lagj. Nr. 05, me vendimin Nr. 3 të vitit 2010. Kjo kërkesë është protokolluar me Nr. 976 Prot., Datë 22 Dhjetor 2010, dhe bashkëlidhur edhe preventivi 1, 5, 10 kate +papafingo+garazh nëntoke me dyqane përdhe, me nje vlerë projektimi 55.227.910 lekë dhe grafiku i punimeve. Pra, subjekti pasi i është miratuar leja e ndërtimit nga K.RR.T e Bashkisë Durrës për shtatë kate, pa filluar ende punimet ka bërë kërkesë për rikondicionimin e sheshit të ndërtimit dhe ndryshime në projekt, dhe shtesë katesh, dhe kjo pa marrë ende leje për prishjen e objektit ekzistues ku do të ndërtohej ndërtimi. Pasi Kryetari i Bashkisë Durrës, personi nën hetim Vangjush Dako është njohur me këtë kerkesë, ja ka kaluar për veprime të mëtejshme urbanistikës”, sipas dosjes.