Turqia në zi! Një ngjarje e rëndë është shënuar të dielën pasdite në një rrugë në sheshin Taksim në Stambollit. Një shpërthim i madh i mori jetën 6 personave dhe plagosi 81 të tjerë. Mes viktimave të atentatit ka pasur edhe fëmijë, një vajzë 3 vjeç me babain por edhe një tjetër 15 vjeç me nënën.
Në pamjet e publikuara pas shpërthimit duken njerëz të frikësuar që ikin nga vendi i ngjarjes me vrap, ndërsa shumë të tjerë ishin shtrirë në tokë pasi ishin plagosur. Përmes Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Stamboll bëhet e ditur se deri tani nuk ka raportime për shqiptarë të lënduar.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, e cilësoi ngjarjen si një sulm djallëzor, ndërsa u shpreh se pas saj ka hije terrori.
Ndërkohë mediat turke kanë shkruar se është arrestuar nga policia dhe autorja kryesore e këtij sulmi, Ahlam Albashir. Kjo e fundit është pjesë e organizatën terroriste PKK/PYD dhe urdhri ka ardhur nga Kobane, Siri – epiqendra e PKK /PYD. Por në lidhje me sulmin kanë përfunduar në pranga edhe 46 persona të tjerë.
Kjo ngjarje e rëndë u diskutua ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku në lidhje “Skype” nga Stambolli ishte Bora Zukali, Kryetari i shoqatës Vatra e Shqiptarëve në Stamboll.
“Dje ishim në qendër se atje jetojmë, ato zona vizitojmë. Një javë më parë kisha disa miq intelektual nga Shqipëria që ishim pranë asaj zone. Kishim një aktivitet për librat, prezantimin e librave.
Është një zonë shumë e frekuentuar dhe dje ishte plot me njerëz pasi kishte edhe një ndeshje futbolli. Edhe stadiumi është afër zonës”, tha Zukali.
I pyetur nëse pati një komunikim zyrtar pasi ndodhi shpërthimi, kryetari i shoqatës Vatra e Shqiptarëve në Stamboll u shpreh:
Shteti turk, policia, janë shumë të fortë. Në atë zonë ka 1200 kamera. Hyrjet dhe daljet kontrollohen. Bomba ishte vendosur në rrugë dhe ka qëndruar aty pa u shpërthyer për 40 minuta”, tha Zukali.
Ky i fundit shtoi se në mes të plagosurve nuk ka vetëm qytetarë turq, por edhe shtetas të huaj.
Ndërsa kur u pyet se si askush nuk e vuri re bombën duke qenë se ka qëndruar gjatë aty, ai tha:
“Ka shumë popullsi aty, sidomos të shtunë dhe të diel. Unë mendoj se nuk e kanë vënë re”.