Shokët e Enjo Saliajt, i cili humbi jetën pak muaj më parë në një aksident në zonën e Freskut, kanë protestuar paraditen e sotme para SPAK, që të mos lirohet shoferi që shkaktoi aksidentin. Në një zë, ata kanë kërkuar drejtësi për shokun e tyre të ndjerë, 18-vjeç.

“Dalim për të kërkuar drejtësi, do e ndjekim deri sa të mbarojnë gjyqet. Kemi parë shumë raste në Shqipëri dhe anashkalohen gjëra të tilla. Do të kërkojmë që të jemi në seancë, do futemi”, kanë thënë miqtë e Enjo Saliajt.

18-vjeçari po lëvizte me motor elektrik, ndërsa u përplas me makinën që drejtohej nga Sildi Krashi. Shoferi i makinës u arrestua, ndërsa mësohet se automjeti nuk ishte në pronësi të tij, por të një personi të identifikuar me inicialet F. A.

Djali i Kudret Saliaj, Enjo Saliaj, ka qenë dëshmitari i vrasjes së të atit nga ish-vjehrri në prani të vajzës së tij. Vrasja në afërsi të Gjykatës së Tiranës, ku ish-vjehrri ekzekutoi me armë zjarri ish-dhëndrin e tij 30 minuta para seancës gjyqësore, tronditi mbarë opinionin publik në vend.

Ai u qëllua nga ish-vjehrri i tij Mexhit Picari, pas konflikteve se viktima i keqtrajtonte vajzën. Çifti ishin në prag divorci, dhe atë ditë kishin seancën e pestë, ku pritej të lexohej akti se kush do t’i mbante fëmijët, ku gjykata do pyeste djalin e madh të çiftit se me cilin nga prindërit donte të rrinte. Në tavolinë me viktimën në momentin e krimit ishte edhe i biri, dhe një punonjëse sociale.