Dalin në dritë detaje lidhur me sherrin e ndodhur mëngjesin e së shtunës në rrugën ‘Besim Alla’ në Tiranë, ku një efektiv policie dhe vëllai i tij u dhunuan nga disa persona dhe përfunduan në spital.

Mësohet se shkak i sherrit është bërë një borxh. Punonjësi i policisë dhe vëllai i tij kanë qenë duke lëvizur në zonë, kur këta persona i kanë parë dhe i kanë ndaluar.

Personat e tjerë i kanë kërkuar një shumë parash vëllait të efektivit pasi pretendonin se borxhi dhe konflikti mes tyre ishte i vjetër. Në sherr e sipër, ata janë goditur me sende të forta si shkopinj e gurë.

Efektivi që ishte jashtë shërbimit dhe vëllai i tij u dëmtuan nga sendet e forta. Sipas policisë, ata janë dërguar në spital për shkak të dëmtimeve të marra por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.