Sigurohet dëshmia e parë që ka dhënë në Polici, efektivi i RENEA-s i arrestuar një ditë më parë, Altin Morina.
Bëjmë me dije se në makinën e tij policia gjeti 113 mijë euro, paund dhe lekë, teksa burimet konfirmuan se ai ka mohuar akuzën e ngritur ndaj tij.
“Janë tërhequr në bankë dhe i kam marrë për hallet e mia. Nuk kam kryer asgjë të jashtëligjshme dhe nuk jam pjesë e asnjë grupi kriminal”, ka thënë Morina.
Ai ka deklaruar ndër të tjera se “parate i kam marre te nje mik dhe jane te ligjshme. Paratë janë tërhequr në bankë”.
Altin Morina u prangos mesditën e 14 marsit në zonën e Kodrës së Diellit pasi në makinën “Audi” me të cilën lëvizte, në sedilen e parë të pasagjerit u gjetën të fshehura të mbështjella me qese marketi rreth 113 mijë euro, lekë dhe paund, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Ndaj tij janë ngritur akuzat për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.