Pas 12 ditëve në gjendje të rëndë, lë spitalin polici i Vlorës, Redin Çaushaj i plagosur në fshatin Pilur kur hyri të shuajë konfliktin edhe pse ishte jashtë shërbimit.
Ai do vijojë të mbahet në monitorim nga mjekët, ndërsa efektivi falënderon koleget dhe bluzat e bardha për ndihmën që i kanë dhënë.
Ngjarja e rëndë u shënua mbrëmjen e 15 gushtit, kur efektivi Redin Çaushaj mbeti i plagosur teksa ndërhyri për të shuar sherrin mes disa personave në fshatin Pilur në Himarë edhe pse ishte jashtë shërbimit.
Ai u godit me thikë në qafë nga 60-vjeçari Thodhori Mërkuri. Ai u arrestua pas disa orësh ndjekje nga policia teksa ishte fshehur në ambientet e ish-repartit ushtarak në fshatin Pilur.
Prokuroria e akuzon 60-vjecarin për vrasje me dashje të punonjësit të Policisë së Shtetit, mbetur në tentativë. Kodi Penal parashikon dënim me burgim jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.