Varësia nga substancat narkotike te të rinjtë është kthyer në një problem mjaft shqetësues. “Shqipëria Live” ka realizuar ditën e sotme një intervistë me një ish-përdoruese të heroinës.

Ajo tregon luftën e saj disavjeçare me drogën dhe rikthimin përsëri tek ajo. E nisi heroinën vetëm kur ishte 23 vjeç, dhe çdo gjë nisi nga kurioziteti. Teksa donte të ndihmonte shoqen e saj që merrte heroinë, ra vetë pre e saj.

Për 5 vite heroina e shoqëroi çdo ditë, deri sa gjeti forcën që këtë ta ndante me prindërit. Pavarësisht se për disa vite arriti të hiqte dorë, disa probleme e bën që të rikthehej sërish. Por motivi për të hequr dorë herën e dytë ishte edhe më i fortë. Ajo zbuloi se ishte shtatzënë.

Sot ajo është 36 vjeçe dhe në rehabilitim, ndërkohë që heroinën e ka konsumuar vetëm me hundë dhe jo shiringë.

Rrëfimi i 36-vjeçares, emri dhe portreti i së cilës nuk tregohen për arsye privatësie:

Nuk ka qenë një vendim. Shkaku ka qenë një mikeshë e imja. E njoha në një moment të vështirë të jetës së saj dhe timin, edhe pse nuk kishim asnjë të përbashkët. E mora në banesën time për ta ndihmuar që të largohej nga kjo rrugë.

Vija re s’mbyllej në banjë dhe e përdorte fshehurazi meje. Në bisedë e sipër i thashë ja ta provoj unë, ajo nuk donte. Unë nuk kisha informacion se si krijohej varësia.

Je në një gjendje gjumi, jo fiks në gjumë, e përhumbur, sheh ëndrra dhe përjetime aq të gjalla. Ndjesi shumë të bukura. Në fillim në doza të vogla që më mbante gjithë ditën. Heroinën nuk e shkëput dot se ke dhimbje. Kam qenë 23 vjeç dhe e përdora për 5 vite.

Humba shoqërinë e shkollës së lartë, u distancova nga ato vetë pasi më dukej sikur e kuptonin se jam konsumuese e lëndëve narkotike. Kisha biznesin tim dhe nuk pësova degradim për të siguruar para për ta blerë.

Fizikisht ndryshova 100 për qind, nga personi që kujdesej për vete u shpërfytyrova e gjitha.

Rashë në peshë, më ka larë mamaja ime. Atyre nuk u shkonte në mënd se mund të  kisha bërë diçka. Jam bërë nënë vetë dhe uroj mos ta përjetoj atë dhimbje që i kam shkaktuar nënës sime.

Kur i tregova nënës ajo më tha ‘nuk është e vërtete, ti po gënjen, do bëjmë analiza’.

Ja tregova që të më ndihmonte. Më kanë mbajtur shumë afër dhe arrita të shkëputesha për 6-7 vjet. Pastaj kalova disa disfata në jetë, probleme në familje, nuk kam pasur një baba autoritar. Nuk kam as vëlla as motër.

Bashkëshorti më ka ndihmuar shumë, prandaj po rehabilitohem. Nuk kam qenë përdoruese kur jam njohur me burrin dhe i tregova kur nisa. U ndie keq dhe ishte i përgatitur për këtë gjë, pasi njeh shumë njerëz dhe e di shumë mirë se si është një njeri i tillë.

Kur nisa të përdorja sërish kisha ngelur shtatzënë dhe më ndihmoi shumë që ta lë.