Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), rikonfirmoi ditën e sotme masën e caktuar në mungesë “arrest me burg” për Leonard Daçin, jurist në Bashkinë e Bulqizës, pjesë e grupit të zyrtareve të këtij institucioni që u arrestuan.

Tre ditë më parë, vetë Daçi u paraqit në Gjykatë ku iu tha togave të zeza se ishte pjesë e personave ndaj të cilit ishte caktuar një masë sigurie, teka këta të fundit vijonin procesin. I shoqëruar së bashku me avokatin e tij, Arben Peci, ai trokiti në dyert e sallës duke vënë në dijeni Gjykatën se ishte një nga të pandehurit e dosjes, dhe ndaj tij ishte marrë në mungesë masa e sigurisë “arrest me burg”.

Edhe ndaj një personi tjetër nuk është ekzekutuar masa e marrë nga GJKKO. Bëhet fjalë për Denis Xholin, ish-drejtor juridik në Bashkinë e Bulqizës, i cili ndodhet jashtë vendit.

Daçi, së bashku me persona të tjerë dyshohet se kanë kryer veprime të paligjshme në dhënien e një tenderi me vlerë 3 milionë euro për ndërtimin e një Ujësjellësi në qytetin e Bulqizës. Tenderi i bashkisë drejtuar nga Lefter Alla, u fitua nga një kompani BOE England e cila mendohet se u favorizua gjatë procedurës. Por punimet, u kryen nga një tjetër kompani, OE 2AF Albania shpk, lidhje shoqërore e kryetarit të Bashkisë.