Në pjesën e dytë të emisionit “Rrethi Katror” në E Diell në Top Channel ditën e djeshme u diskutua për arrestimin e Vangjush Dakos.
Konspiracionisti Alfred Cako tha se PS do ta kishte të vështirë të fitonte Durrësin pa Dakon dhe se ky ka qenë arsyeja që ka mbajtur grupet kriminale të qeta.
“Vangjushin e kam mik dhe e njoh shumë mirë, ai është një teknicien që është futur rastësisht në politike. Ai nuk ka lidhje fare me të majtën. Ai është biznesmen me prirje të djathta. Duhet menduar pse u arrestua tani dhe jo para zgjedhjeve.
PS do e kishte të vështirë të fitonte Durrësin pa Dakon. Durrësi është një qytet me shumë grupe kriminale, dhe atje gëlon aktiviteti i nëndheshëm. Dhë nëse ka pasur një mendje brilante që ka ditur të manavrojë dhe të mbajë Durrësin në qetësi ishte Dako. Dako nuk i linte këto delinkuentët të shpërthenin, por u gjente mënyrën si t’i frenonte që mos bënin budallallëqe.
Ndërsa tani Durrësi ka rrezik të kthehet në një vatër të madhe kriminale. Nuk dua të them që Vangjushi i përkiste botës së nëndhenshme, por nuhaste kur Durrësi mund të merrte flakë dhe gjente mekanizmat si t’i shuante problemet. Ka pasur një fisnikëri në mbylljen e gjërave dhe përpiqej t’i linte të gjitha palët e kënaqura,” tha Cako.