Një ditë më parë shtetasja Shpresa Cani, 48 vjeç humbi jetën për shkak të një ataku kardiak në ambientet e Bashkisë së Lushnjës, pas debateve me punonjësit e këtij institucioni për shkak se ajo kërkonte ndihmë sociale, të cilën pretendonte se e meritonte.

Pasi lajmi u shpërnda dhe bëri bujë në të gjitha mediat dhe rrjetet sociale, ka ardhur një reagim i kryetares së bashkisë, Eriselda Sefa, e cila me nxitimin e madh për të treguar se nuk ka ndikuar në përkeqësimin dhe më humbjen e jetës së 48-vjeçares, “harron” të ngushëllojë familjarët për këtë humbje.

Jo vetëm kaq, por në policinë e Lushnjës e raportuan viktimën si 58-vjeçare, pra 10 vite më të madhe, për ta zbehur rëndësinë e ngjarjes me moshën e madhe të viktimës.

Ndërkohë, Sefa në postimin e saj me doza të theksuara hipokrizie pretendon se ka qenë shumë bashkëpunuese në lidhje me kërkesat e Shpresa Canit dhe se kjo e fundit është ndjerë keq menjëherë pasi kryebashkiakja i kishte premtuar zgjidhjen e problemit të saj.

“Sa i përket ngjarjes, sqarojmë se të mërkurën rreth orës 11:00 pranë Zyrës së Informacionit është paraqitur shtetasja Shpresa Cani, e cila kërkoi takim me Kryetaren e Bashkisë Eriselda Sefa.

Pak minuta më vonë Kryetarja e Bashkisë priti në zyrë të interesuarën, e cila ishte e përfshirë që nga viti 2007 në kategorinë PAK si Invalide e plotë nga KMCAP me diagnozë Drepanocitoze Hemozigote (sëmundje gjaku), me pagese mujore 11 915 lekë.

Shtetesja Shpresa Cani deklaroi që jetonte vetëm me babain dhe kërkoi nga Bashkia që përveç trajtimit me KEMP nga KMCAP, të gjendej një mundësi për ndihme shtesë për të dhe babain e saj edhe nga ky institucion.

Pasi dëgjoi shqetësimin e Zonjës Cani, Kryebashkiakja Sefa thërriti Drejtoreshën e Shërbimit Social pranë bashkisë Lushnjë për të parë mundësinë e ndihmës shtesë nga buxheti bashkiak, përveç pagesës se invaliditetit.

Pati një dakordësi që në janar të shihej mundësia për ta futur në skemat e ndihmës nga buxheti bashkiak, mirëpo në një moment Zonja Cani është ndjerë keq. Menjëherë është njoftuar ambulanca dhe shefi i Komisariatit Lushnjë, z.Edvin Ndreu.

Ambulanca mbërriti brenda pak minutash në ambientet e Bashkisë duke transportuar pacienten drejt Spitalit dhe pak çaste më vonë mbërritën edhe efektivet e komisariatit Lushnjë.

Bashkia e Lushnjës përmes Kryetares së Bashkisë përgënjeshtron dhe shpreh keqardhje për informacionet abuzive të shpërndara në media lidhur me dinamiken e ngjarjes.

Në ambientet e bashkisë Lushnjë dhe aq më pak në zyrën e kryebashkiakes, nuk ka pasur asnjë debat mes Zonjës Cani dhe përfaqësuesve të bashkisë, përkundrazi pati gatishmëri për të dhënë ndihmë shtesë për të interesuaren”, thuhet në njoftim.