Një ngjarje e paprecedentë u zbulua ditën e djeshme nga policia e Tiranës, ku një 52-vjeçar mbante prej 6 vitesh të ngujuar në shtëpi gruan dhe dy djemtë e tij të mitur.
Në një intervistë për “Shqipëria Live”, ka folur vëllai i 52-vjeçarit, Bekim Laçi, i cili ka mohuar kategorikisht që Gjergj Laçi të kishte ushtruar dhunë ndaj gruas dhe fëmijëve.
I pyetur nëse i linte dy djemtë që të dilnin nga shtëpia, vëllai i Gjergj Laçit, u shpreh se vëllai i tij kishte një afrimitet të madh me fëmijët dhe për këtë shkak nuk dëshironte që të shoqëroheshin me fëmijët e zonës.
“Që ka qëndruar 6 vite brenda kjo dihet nga të gjithë zona. Vëllai kishte një afrimitet shumë të madh me fëmijët, dhe nuk donte që djemtë të shoqëroheshin me fëmijët e zonës.
Unë kam qenë mësues i dy djemëve që prej klasës së pestë.
Unë kam marrë inciativën për ti çuar në shkollë, i kam marrë edhe në shpi për t’u thënë se për çdo shpenzim do i ndihmojë unë.
I nisëm që ti çojmë me shkollë në Durrës, kontaktova dhe me dajën e çunave, por ai më tha që nuk kishte mundësi që të na ndihmonte me financat.
Kanë pas kushte të mira ekonomike. Gjergji më ka pas ndihmuar mua me shkollën e lartë, ka qenë refugjat në Itali.
Fëmijët i linte të dilnin nga shtëpia”, u shpreh Bekim Laçi.
Në lidhje me dhunën ndaj bashkëshortes, vëllai i 52-vjeçarit mohoi që ky i fundit të ketë ushtruar dhunë ndaj saj.
“Në lidhje me municionet nuk kam informacion, ndërsa për thika çdo kush ka në shtëpinë e tyre”, u shpreh vëllai i 52-vjeçarit, Bekim Laçi.
Në lidhje me mënyrën se si u arrestua 52-vjeçari, mësohet se kanë qenë banorët dhe fqinjët ata që raportuan në polici për situatën në të cilën ndodhej familja Laçi. Komshinjtë, të cilët ishin në dijeni të dhunës që Xherxh (Gjergj) Laçi ushtronte ndaj gruas dhe djemve të tij, u shqetësuan pasi prej disa ditësh nuk i kishin parë të dilnin as në dritare.