Pas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë se do të bëhet riatdhesimi i organit të zemrës së të riut Saimir Sula dhe procedurat do të kryhen në Barcelonë më datë 12 korrik 2023, ka pasur një reagim nga familjarët e të riut.

Motra e Saimirit, Majlinda Sula, në një deklaratë për mediat, tha ditën e djeshme se familjarët nuk janë vënë në dijeni, edhe pse në njoftimin e ministrisë shkruhet se procedura do të kryhet në prani të familjarëve të Saimir Sulës dhe institucioneve zyrtare nga Shqipëria dhe Spanja, të përfshira në këtë çështje.

Ajo shpreh dyshime qe zemra qe pritet të vijë në Shqipëri të mos jetë e vëllait të saj pasi prej 3 vitesh Spanja i refuzoi kërkesën për kryerjen  e ADN-së. Ajo thekson se vëllai i saj mund të jetë vrarë dhe nëse zemra do ti përkasë atij, institucionet duhet të zbardhin shkakun e vdekjes.

Njoftimi ka ardhur pas një periudhe të gjatë me padi nga ana e familjarëve të Saimir Sulës dhe shkëmbim dokumentacioni mes dy vendeve. Pikëpyetje të shumta ngrihen mbi këtë ngjarje, pasi lajmërimi për sjelljen e zemrës vjen plot tre vite pasi trupi i të riut që ndërroi jetë në Spanjë u riatdhesua pa organin jetësor.

Familjarët e të riut gjatë kësaj kohe kanë zhvilluar beteja ligjore me denoncime në prokurorinë e Tiranës për trafikim organesh, si dhe protesta të shumta në Shqipëri, Spanjë dhe institucione të BE në Bruksel, ku edhe kanë kërkuar test ADN-je për t’u siguruar se zemra që do të marrin në dorëzim është vërtet e Saimir Sulës.

Kujtojmë se i riu ndërroi jetë në maj të vitit 2020 në spitalin del Mar në Barcelonë, por kur trupi i tij u riatdhesua, ekspertët mjekësisë ligjore në Tiranë zbuluan se mungonte organi i zemrës.