Një rast i rëndë dhune në familja ka ndodhur në Mat, ku një 48-vjeçar është arrestuar nga policia.

Mësohet se 48-vjeçari prej kohësh ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij, një 33-vjeçare, e cila për shkak të dhunës kishte përfunduar dhe në spital psikiatrik.

Për të fshehur dhunën, 48-vjeçari pretendonte se gruas i kishin bërë magji dhe kishte punësuar një shtetas nga Kosova për ta shëruar. Ai pretenonte se ajo vuante nga probleme të shëndetit mendor.

Rasti është denoncuar nga një qytetar, teksa policia ka gjetur dhe armë zjarri në shtëpinë e 48-vjeçarit.

Njoftimi i policisë:

Mat/ Ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike në mënyrë të përsëritur ndaj bashkëjetueses së tij, kapet dhe vihet në pranga 48-vjeçari.

Bashkëjetuesja si pasojë e dhunës fizike dhe psikologjike është trajtuar me mjekim në spitalin psikiatrik Tiranë.

48-vjeçari, për të justifikuar dhunën ndaj bashkëjetueses, kishte paguar një shtetas nga Kosova, për ta shëruar, pasi pretendonte se i kishin bërë magji.

Procedohet penalisht për mashtrim, 36-vjeçari, i cili vinte nga Kosova në banesën e 48-vjeçarit,  për të shëruar 33- vjeçaren.

Gjatë kontrollit në banesën e 48-vjeçarit  u gjetën dhe u sekuestruan 380 copë fishekë luftarak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat,  pas informacioneve të siguruara për një shtetas që ushtronte dhunë psikologjike dhe fizike në mënyrë të përsëritur ndaj bashkëjetueses së tij, si dhe mbante armë zjarri apo municion luftarak në banesë, menjëherë kanë organizuar punën dhe falë ndërhyrjes së menjëherëshme është bërë parandalimi i një ngjarje të mundshme kriminale në familje.

Si rezultat, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. B., 48 vjeç, banues në Burrel, ( i dënuar më parë për kanosje dhe kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë).

Nga hetimet e kryera, mbështetur dhe në inteligjencë informative ka rezultuar se 33-vjeçarja, si pasojë e dhunës është dërguar nga familjarët e saj për trajtim mjekësor dhe në spitalin psikiatrik, Tiranë.

Po në vijim te hetimeve të thelluara për këtë rast, ka rezultuar se 48-vjeçari, për të justifikuar dhunën ndaj bashkëjetueses së tij, pretendonte se 33- vjeçares i kishin bërë magji dhe kishte paguar shtetasin K.P., 37 vjeç, banues në Kosovë,  i cili vinte në banesën e shtetasit D.B., për të shëruar 33- vjeçaren.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit D.B., shërbimet e Policisë,  gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 380 fishek, që i posedonte pa leje.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme procedurale.