Vetëm 3 ditë nga Viti i Ri 2022 u deshën që ngjarjet e kronikës së zezë të riktheheshin në kryefjalë të lajmeve në vendin tonë.

Nuk mjaftuan as urimet dhe dëshirat e të gjithëve dhe dita e katërt e këtij 365-ditëshi të ri të rezultonte plot ngjarje të kobshme.

Sigurisht, vëmendjen më të madhe e merr ngjarja e “Don Boskos” në kryeqytet, ku një person mbeti i vdekur dhe 4 të tjerë të plagosur si pasojë e një atentati tipik mafioz.

Erjon Çela, 35 vjeç, Arben Dani, 46 vjeç, Azbi Selmani, 19 vjeç, Blerim Çela, 28 vjeç dhe Edmond Crroj, 41 vjeç, ishin në tavolinën e një lokali në zonën e njohur si “Filantos”, kur një breshëri plumbash i zuri të papërgatitur.

Në momentin kur ndodhi ngjarja lokali ishte plot me njerëz, dhe viktimë mbeti vetëm Erjon Çela. U plagosën vëllai dhe daja i tij, përkatësisht Blerim Çela dhe Edmond Crroj, ky i fundit rezulton trafikant droge në Itali.

Ndërkohë një plumb mori edhe kamerieri i lokalit, 19-vjeçari Azbi Selmani.

Sipas policisë, autorët u shfaqën në vendngjarje me një automjet tip Benz me targa të vjedhura. Një prej tyre, doli nga sedilja e pasme e makinës me Kallashnikov në dorë dhe zbrazi karikatorin drejt 5 personave. Ende nuk dihet se kush ishte shënjestra e tyre.

Policia ka ngritur pika kontrolli në disa pika të qytetit, pas informacionit se autorët u larguan me shpejtësi drejt Laprakës.

Edhe pse vendi ku ndodhi vrasja është fare pranë Spitalit të Traumës, jo më shumë se 500 metra, ambulancat u vonuan rreth 30 minuta.

Rreth 1 orë më vonë, një tjetër ngjarje e rëndë shënohet po në Tiranë, kësaj here në rrugën e “Kavajës”.

Një person gjendet i pajetë në sedijen e pasme të një automjeti.  “Më datë 04.01.2022, rreth orës 17:25, në rrugën e “Kavajës”, në mjetin që drejtohej nga shtetasi Xh. K, ka ndërruar jetë pasagjerja shtetasja L. R., rreth 72 vjeçe. Nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e një arresti kardiak,” njofton policia.

Pas një ore, në aksin rrugor Gjiri i Lalëzit -Manzë, një automjet ka përplasur këmbësorin Sh. V, duke i marrë kështu jetën.

Një tjetër aksident ndodhi edhe në Korçë, ku një makinë përplasi policin e rrugores. Ai u dërgua menjëherë në spital, por për fat ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.