Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë vjedhjen e shtëpisë së ish-zyrtares Alda Klosi, nga pastruesja Rozeta Dobi, e cila bashkëpunoi me të birin Havier Dobi.
Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shkruan se Reforma në Drejtësi dhe forcimi i institucioneve ligjzbatuese bëhen pikërisht për të pastruar ‘llumin’.
Në fund ai shton se kur faktet provojnë se është shkelur ligji për përfitime të paligjshme, nga kushdoqoftë, duhet tu shkohet deri në fund historive.
Postimi:
Nuk e di kur do ta kuptojnë disa që Reforma në Drejtësi dhe forcimi i institucioneve ligjzbatuese bëhen pikërisht për të pastruar llumin! Prandaj kur del llumi falë punës së këtyre institucioneve, s’duhet harruar se këto janë provat e vullnetit tonë kundër korrupsionit!
E thënë ndryshe, në një kohë tjetër policia apo drejtësia nuk ia nxirrnin kurrë lakrat në shesh njerëzve të veshur me kostum zyrtar, ndërsa sot kohët ndryshojnë përditë për mirë edhe në këtë drejtim! Sepse sot vullneti politik është i plotë dhe mburoja e vjetër politike ka rënë!
Unë uroj vetëm që t’u shkohet sa më shumë deri në fund historive të ulëta me para të pista dhe forca e ligjit të mos ndalojë përpara askujt, kur faktet provojnë se është shkelur ligji për përfitime të paligjshme, nga kushdoqoftë.