Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmë rreth orës 18:00 para Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku një 35-vjeçare ka mbetur e vrarë.

Hamide Magashi, e cila ishte shtatzënë, u vra nga ish-bashkëshorti, Sokol Halili. Viktima ishte në javën e fundit të pritjes së ëmbël e cila u kthye në tragjedi. Burri me të cilin ishte në proces ndarje ia mori jetën gruas dhe fëmijës dhe më pas u largua.

Policia e ka shpallur në kërkim autorin e ngjarjes së rëndë dhe madje ka kërkuar ndihmën e të gjithëve për të gjetur Halilin.

Gazetari Besian Beha ishte sot në një lidhje “Skype” me emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku u shpreh se është gjetur makina e autorit të ngjarjes.

“Është gjetur makina e autorit të ngjarjes së rëndë, Sokol Halilit. Babai i Sokolit ka shprehur zhgënjimin e vrasjes që ka kryer djali i tij.

Sipas tij nuk kanë pasur probleme, por pasi ishte konfirmuar shtatzënia kanë nisur problemet.

Nëna e Sokolit dhe motra kishin shkuar në klinika për t’i çuar para dhe veshje. Kishin kërkuar për ta bindur që të kthehej në shtëpi dhe e nderja nuk kishte pranuar”, tha gazetari.

Beha gjithashtu u shpreh se vjehrra e të ndjerës i ka bërë presion psikologjik asaj.

“Nuk e kanë lejuar që të shkonte vetëm te shtëpia e familjes së saj. Nuk e linin të flinte atje. Edhe familja ka qenë e përfshirë”, u shpreh gazetari.

Ky i fundit gjithashtu tregoi se gruaja e ndjerë ka pasur urdhër mbrojtje për 6 muaj, deri në vitin 2023.