
Vlora është tronditur mbrëmë nga një atentat me armë zjarri, ku një 41-vjeçar mbeti i vrarë.
Viktimë mbeti Laert Keka, i cili rezulton me gjeneralitet të ndryshuar (Leartiad Lekaj). Ngjarja e rëndë kriminale ndodhi pranë kishës Ortodokse.
Ngjarja raportohet në lagjen 28 Nëntori të qytetit bregdetar. 41-vjecari po udhëtonte me motor, në kohën kur i është vënë pas një makinë tip “Audi A6” dhe drejt tij kanë qëlluar me armë.
Ndërkohë bëhet e ditur se në aksin ‘Kotë –Sevaster’, është gjetur 1 mjet tip ‘Audi’ duke u djegur, bashkë me një kallashnikov brenda, ndërsa dyshohet se vrasja mund të jetë kryer për motive hakmarrjeje.
Sakaq, mbi 28 gëzhoja ndodhen në vendngjarje.

Informacion paraprak
Rreth orës 21:50, në lagjen “28-Nëntori”, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi L. K., 41 vjeç. Nga kontrolli i zonës, në aksin rrugor “Kotë- Sevaster”, shërbimet e Policisë kanë konstatuar një automjet tip “Audi”, duke u djegur.
Janë ngritur menjëherë pika kontrolli në hyrje/daljet e qytetit të Vlorës dhe në akset “Vlorë-Fier”, “Vlorë-Tepelenë” dhe “Vlorë-Himarë”. Gjithashtu, shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e autorëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe në drejtimin e prokurorit, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.



