Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja u bëri thirrje organeve të drejtësisë që të punojnë për zbardhjen e vrasjes së Ardian Nikulajt, një ditë më parë.

Lidhur me akuzat e opozitës për ngjarjen e rëndë, ai u shpreh se ata kanë 30 vite që  përdorin viktimat për qëllimet e tyre politike apo personale.

Manja: E para dua t’u shpreh ngushëllimet e mia familjarëve  dhe të afërmve të viktimës së djeshme në Lezhë dhe të shpreh gjithë solidaritetin për ngjarjen e trishtë, në radhë të parë jemi shqiptarë, pastaj aleatë apo kundërshtarë politikë, të zbardhet ngjarja dhe të vënies së autorëve të këtij krimi të shëmtuar para drejtësisë. Lidhur me akuzat e djeshme ndjej neveri dhe përçmim sepse janë të njëjtët njerëz që vëllavrasjen nxitjen e përçarjes dhe përdorimin e viktimave për qëllime të përfitimit politik apo përfitime personale e kanë pjesë të ADN-së së tyre këtu e 30 vjet, ftoj organet ligjzbatuese të zbardhin ngjarjen një orë e më përpara.

Kujtojmë se një ditë më parë, Ardian Nikulaj, anëtar i Këshillit Bashkiak të Lezhës dhe ish kandidat për zgjedhje të vitit 2021 u vra në biznesin e tij nga një person i maskuar me kokore motori dhe jelek fosforeshent./ TCH