Sahit Murati, xhaxhai i Fatjon Muratit, i cili mbeti i plagosur në ngjarjen e “Don Boskos” në Tiranë, ka treguar para grupit hetimor se nuk ka mundur të shohë asgjë identifikuese nga silueta e dy personave që qëlluan drejt lokalit ku ndodhej. Ai tha se ndodhej në lokal dhe teksa po shikonte një ndeshje futbolli, ka dëgjuar krisma të forta dhe thyerjen e xhamave. Në ato momente, Sahit Murati ka rëfyer se është shtrirë në dysheme, duke mos pasur asnjë mundësi të shikonte personat që qëlluan por edhe të reagonte kundrejt tyre.
I pyetur për pista të mundshme, Sahit Murati është shprehur ai dhe familja e tij nuk kanë asnjë konflikt me persona të ndryshëm dhe për shkak të kësaj situate, nuk ishte në gjëndje të tregonte emrin e një personi konkret.
“Nuk kam mundur të identifikoj asgjë nga silueta e dy personave që qëlluan drejt lokalit. Isha në lokal dhe teksa po shikoja një ndeshje futbolli, kam dëgjuar krisma të forta dhe thyerjen e xhamave. U shtriva në dysheme, duke mos pasur asnjë mundësi të shikoja personat që qëlluan por as të reagoja. Unë dhe familja ime nuk kemi asnjë konflikt me persona të ndryshëm dhe për shkak të kësaj situate, nuk jam në gjendje të tregoj emrin e një personi konkret që ka kryer goditjen me armë,”– tha Sahit Murati.
Masakra ndodhi pak ditë më parë në Don Bosko. Dy persona qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të lokalit të Fatjon Muratit duke lënë të vdekur banakieren Mimoza Paja, 58 vjeçe dhe pesë të tjerë të plagosur, mes tyre dhe një vajzë 10-vjeçare që u dëmtua nga xhamat e thyer. Të plagosurit e tjerë janë Sahit Murati (xhaxhai i Fatjon Muratit), Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Murati vetë ndodhej jashtë Shqipërisë në momentin që u krye atentati. Ai është i njohur në botën e krimit dhe si miku i ngushtë i Endrit Dokles, madje është marrë në pyetje për masakrën e Fushë Krujës, ku mbeti i vrarë Brilant Martinaj me dy miqtë e tij. Murati tashmë është shpallur në kërkim.