Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me atentatin e trefishtë që tronditi vendin tonë më 17 korrik 2022. Në mbikalimin e Fushë-Krujës u vra Brilant Martinaj dhe dy shokët e tij Besmir Hoxha dhe Dikler Vata.

Autorët që dyshohet se kanë qenë profesionistë mësohet se janë larguar nga vendi i ngjarjes falë ndihmës që një efektiv policie iu ka dhënë. Në dosjen hetimore thuhet se autorët janë larguar të pashqetësuar nga vendngjarja pasi janë marrë me një makinë gri nga efektivi i policisë me iniciale M.D.

Efektivi thuhet se ka ndihmuar agresorët të çajnë vetë rrethimin e policisë, por edhe stërvitur ata para atentatit për të mos lënë asnjë provë gjatë “punës”. Pas atentatit të trefishtë, pak orë pasi ndodhi ngjarja e rëndë një automjet me ngjyrë gri është afruar pranë vendit ku autorët dogjën makinën me të cilën kryen ekzekutimin e Martinaj dhe dy shokëve të tij. Prej aty efektivi kreu largimin e tyre nga vendngjarja, më qëllim për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë.

Pas ekzekutimit të Brilant Martinaj, Besmir Hoxhës dhe Dikler Vatës, më 17 korrik 2022, ngjarje kjo e ndodhur në Mbikalimin e Fushë-Krujës, grupi hetues, ka marrë dhe administruar një numër të madh të kamerave të sigurisë të montuara në aksin Kamëz-Fushë Krujë-Laç. Nga këqyrja e këtyre kamerave si dhe nga informacionet e marra nga burime konfidenciale na rezulton se shtetasi M. D., është personi që ka ndihmuar të fshihen para dhe pas ngjarjes autorët e vrasjes së trefishtë. Nga verifikimi i bërë rezulton se shtetasi M.D përdor mjetin me targa AA00 … me ngjyrë gri. Nga ana e policisë gjyqësore nuk është bërë i mundur sigurimi i numrit apo numrave celularë të këtij personi, që përshkruhet si person i dyshuar, si bashkëpunëtor në këtë ngjarje të vrasjes së 3 personave.

Efektivi i policisë me iniciale M.D nuk ka ndihmuar autorët vetëm pas ngjarjes së rëndë por edhe para saj duke i strehuar në shtëpinë e tij. Efektivi M.D. i ka ndihmuar autorët e dyshuar me largimin e tyre edhe të nesërmen pasi kryen atentatin e rëndë.