Gjykata e Apelit të Durrësit ka rikthyer në detyrë 6 punonjësit e policisë së Elbasanit, të cilët u pezulluan në lidhje me vrasjen e Pjerin Xhuvani, tre ditë para zgjedhjeve të 25 prillit.

Bëhet fjalë për punonjësit e policisë të “Forcave Shqiponja” Dedion Duraku, Pëllumb Biçaku, Erion Balla, Erion Meçja, Donald Dedja si dhe Besmir Kadiu.

Gjykata vendosi shfuqizimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, duke i hapur kështu rrugë rikthimit të tyre në detyrë.

Njoftimi i Gjykatës:

Nga verifikimi ne sistem rezulton se pranë Gjykatës së Apelit Durrës në datën 21.11.2022 janë zhvilluar seancat gjyqësore për shtetasit nën hetim: D.D, P.B, E.B, E.M , D.D, B. K , me objekt “ Shuarje e masës së sigurimit ndaluese ,ku është vendosur: Ndryshimin e vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, humbjen e fuqisë së masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” parashikuar nga neni 240 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj personave nën hetim për shkak të kalimit të afatit të parashikuar në nenin 267/2 i K.Pr.Penale.