Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Kosovë, ku 35-vjeçarja Hamide Magashi u vra nga ish-bashkëshorti i saj Sokol Halili para oborrit të maternitetit.

Një shoqe e të ndjerës, e cila ka qëndruar me të në të njëjtën dhomë në maternitet, ka zbuluar bisedat e fundit me 35-vjeçaren gjatë qëndrimit të saj në spital.

Ajo ka thënë se ish-burri i Magashit, Sokol Halili edhe një natë para krimit të rëndë, ka qenë te QKUK-ja dhe i ka kërkuar të ndjerës që të dalë në oborr për të folur metë.

“Më ka treguar që ka qenë e ndarë me burrë dhe ka patur probleme të vazhdueshme edhe gjatë shtatëzanisë ngase ai e ka kontaktuar vazhdimisht. Një natë para vrasjes e ka thirr tërë kohën që të dal jashtë në oborr, por që nuk pranonte të dilte. Më tregoi shkurt edhe se çfarë i tha ish-burrit. Më thonte se i shkroi se nuk ka çfarë kërkon nga ajo dhe se fëmija është i saj” ka thënë ajo.