Koço Buzo, ish-polici që ekzekutoi me armë bashkëshorten e tij në dalje të Gjykatës së Elbasanit është paraqitur në gjendje të rënduar psikologjike në seancën e parë gjyqësore.

Në këtë seancë, Buzo ka deklaruar para gjykatës se nuk mbante mend asgjë dhe se “ka mësuar nga ish-shokët policë” në momentin e arrestimit që ka vrarë bashkëshorten e tij.

Para gjykatës, Buzo ka deklaruar se ka qenë në shtëpi, megjithëse provat filmike dhe dëshmitarët e tjerë në vendin e ngjarjes, mes të cilëve edhe fëmijë të tij, pohojnë të kundërtën.

Ai ka rrëfyer se prej gjashtë muajsh nuk fliste me bashkëshorten e tij, me të cilën ishte në proces divorci. Periudha përkon me kohën kur e ndjera Liljana Buzo është larguar nga banesa për shkak të dhunës psikologjike dhe fizike të ushtruar nga bashkëshorti i saj.

54-vjeçarja Liljana Buzo u qëllua me armë zjarri kallashnikov ditën e enjte në momentin që doli nga Gjykata e Elbasanit. Nga breshëria e automatike mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, mes të cilëve edhe avokati i të ndjerës.

Nga rindërtimi i ngjarjes sipas dëshmive të dhëna nga personat e pranishëm dhe nga pamjet filmike të siguruara prej bizneseve përqark, dyshohet se në momentin që Koço Buzos i është bllokuar automatiku, ai i është afruar bashkëshortes së tij me thikë në dorë dhe ka tentuar që t’i presë kokën.