Kosova u trondit nga një vrasje makabre që ndodhi të mërkurën e 30 nëntorit, në oborrin e QKUK-së.
Sokol Halili dyshohet se vrau ish-gruan e tij shtatzënë, Hamide Magashi, e cila ishte në ditët e fundit të lindjes. 35-vjeçarja nga Lipjani u vra para Klinikës së Gjinekologjisë. Nga ana tjetër, sot policia e Kosovës njofton se Halili është ende në kërkim dhe nuk dihet vendndodhja e tij.
“Nga njësitë policore në disa lokacione është kërkuar i dyshuari por deri tani nuk është hasur”, njofton policia.
Trajgik është fakti se viktima kishte edhe urdhër mbrojtje nga i dyshuari, ish-bashkëshorti i saj.
“Gjykata pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit të kërkesës së urdhrit mbrojtës, me datë 13.09.2022 ka lëshuar aktvendimin për urdhër mbrojtje me të cilën ka aprovuar kërkesën për urdhër mbrojtje të palës së mbrojtur dhe palës përgjegjëse i ka shqiptuar masat mbrojtëse sipas nenit 5 dhe 6 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje, në kohëzgjatje prej gjashtë muajve duke filluar nga data 13.09.2022 deri më datë 13.03.2022. Ky aktvendim i është dorëzuar palëve dhe atë palës përgjegjëse, mbrojtësit të tij, palës së mbrojtur, mbrojtësit të viktimave, QPS –Lipjan si dhe Stacioni Policor në Lipjan i cili është urdhëruar që ta bëjë zbatimin e vendimit të urdhrit mbrojtës”, konfirmon Gjykata Themelore e Ferizajt.
Sokol Halili është shpallur fajtor për armëmbajtje pa leje dhe është dënuar me gjobë më 23 shtator.
“Me datë 23.09.2022, me aktgjykimin e evidentuar si: 2022:174052, i pandehuri S.H. është shpallur fajtor për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së dhe i është shqiptuar dënim me gjobë.”