Habib Rexha, 31-vjeçari i akuzuar si vrasësi i Arian Gosës në Kavajë më 21 Maj, është vetëdorëzuar ditën e sotme në polici.
Rexha u dorëzua pas negociatave të familjarëve me policinë, pasi qëndroi për 2 ditë në arrati pasi vrau Arian Gosën në një lokal të Kavajës pasditen e së dielës.
Habib Rexha vrau me një plumb në kokë 48-vjeçarin Arian Gosa, i cili ishte duke pirë kafe me babanë e tij në një lokal në Kavajë. Ai ka vepruar i vetëm dhe pas vrasjes ka arritur që të largohet.
Shkak i vrasjes është hakmarrja, pasi Habib Rexha është vëllai i Altin Rexhës, i cili mbeti i vrarë në vrasjen e dyfishtë në muajin mars të këtij viti në Kavajë, ku viktimë mbeti edhe Edmond Gosa.
Autori veproi i vetëm, e duket se është përpjekur që shenjën e hakmarrjes t’ia kthejë në të njëjtën mënyrë fisit Gosa. Ashtu sikurse Arjani u ekzekutua në sy të të atit, edhe Altin Rexha kishte pasur të birin përdore kur Edmond Gosa, e qëlloi me armë dhe e la të vdekur.